Policia ka dhënë detaje në lidhje me aksidentin e rëndë të ndodhur në Fushë Krujë pak më parë, ku dy automjete u përplasën “kokë më kokë”.

Si pasojë e përplasjes ka humbur jetën një 85-vjeçare e identifikuar si Bedrie Saja, nëna e një prej drejtuesve.

Ndërkohë kanë përfunduar në spital tre personat e tjerë, dy drejtuesit dhe një pasagjer.

Fushë Krujë/Informacion paraprak

Rreth orës 11:00, në aksin rrugor “Fushë Krujë – Borizanë”, automjeti me drejtuese shtetasen M. K., rreth 30 vjeçe, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin I. S., rreth 50 vjeç.

Si pasojë ka humbur jetën pasagjerja në automjetin me drejtues shtetasin I. S., nëna e tij, shtetasja B. S., rreth 85 vjeçe, si dhe janë dëmtuar 2 drejtuesit e automjeteve dhe pasagjerja tjetër në automjetin me drejtues shtetasin I. S., të cilët ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb