Seanca plenare është ndërprerë për 5 minuta, me kërkesë të kreut të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla pas marrjes së informacioneve për aksidentin tragjik të ndodhur pak orë më parë në aksin Durrës-Tiranë.
Balla tha se seanca duhet të ndërpritet me qëllim që ata të merrnin më shumë informacion lidhur me aksidentin dhe gjendjen e të plagosurve.
“Të gjithë jemi informuar për një aksident të rëndë të ndodhur në autostradë, dhe në raportime flitet për jetë të humbura. Kështu që do ishte mirë ta ndërprisnim 5 minuta seancën, edhe për të marrë më shumë informacion. Besoj që edhe zoti Leskaj dhe të tjetër janë dakord, që të marrim më shumë informacion”, kërkoi Balla.
Kujtojmë se pasditen e sotme një furgon i linjës së Beratit ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal, për pasojë 17 persona janë plagosur ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të vdekur.
