Deputeti i Partia Demokratike e Shqipërisë, Belind Këlliçi ka bërë akuza të forta për atë që ai e quan “skandali i bankës digjitale”. I ftuar në programin e drekës në News24 me Ola Brukon, Këlliçi tha se ka indicie që persona pa përvojë në sektorin bankar, disa prej të cilëve me precedentë penalë dhe të përfshirë në skema mashtrimi financiar si Forex, janë përfshirë në këtë projekt. Ai pretendon se këta individë janë të regjistruar në struktura offshore dhe se janë shkelur procedurat nga Banka e Shqipërisë për dhënien e licencës.

“Këtyre individëve, të raportuar për përfshirje në skema mashtrimi, u jepet licencë për të operuar një bankë digjitale, ndërkohë që mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë me paratë e qytetarëve”, u shpreh Këlliçi.

Ai shtoi se do të vijojë me mbledhjen e fakteve dhe dokumentacionit, duke paralajmëruar se çështja do të ndiqet në rrugë ligjore deri në fund.

Deputeti u ndal dhe te abuzim me pronat shtetërore dhe parregullsi në sektorin financiar, duke paralajmëruar kallëzim në SPAK.

Këlliçi u shpreh se sipas tij janë shpërdoruar miliona metra katrorë tokë shtetërore, të cilat janë shpërndarë në mënyrë të padrejtë tek familjarë dhe persona të lidhur me pushtetin, në këmbim të përfitimeve elektorale. Ai theksoi se po zhvillon një hetim të thelluar dhe se shumë shpejt do t’i drejtohet SPAK-ut, pasi të sigurojë të gjitha provat e nevojshme. Deputeti demokrat akuzoi gjithashtu bashkitë për mungesë transparence, duke pretenduar se një pjesë e tyre nuk kthejnë përgjigje ndaj kërkesave për informacion, ndërsa të tjera japin përgjigje që ai i cilësoi si kërcënuese.

“Janë vjedhur dhe është abuzuar me mln metër katrorë tokë shtet, që i është dhënë familjarëve, vëllezërve, motrave, por është hetim i thelluar që po bëj. Më duhet që para se të drejtohem te SPAK, dua të kem informacione. Bashkitë e vendit nuk kthejnë përgjigje. Disa kthejnë përgjigje kërcënuese, me të cilët do ta vijoj punën. Është dhe Banka Digjitale, të cilën ju e keni denoncuar. Ka burime të besueshme, indicie, të cilat më kanë informuar se bëhet fjalë për shtetas të cilët në shkelje të plotë të ligjit, kanë zero eksperiencë në fushën e bankave, zero historik, rekorde penale, një prej tyre aksioner. Janë të regjistruar në offshore. Është shkelur rregullorja në BSH. Individët e përfshirë, rezultojnë se janë raportuar në përfshirje të skemave të mashtrimeve me Forex. Këtyre individëve, që janë raportuar si të përfshirë në skema mashtrimi, BSH i jep licence për të bërë bankë digjitale, që një zot e di se çdo të bëjnë me paratë e shqiptarëve.”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb