Analisti dhe gazetari Ilirjan Agolli, i ftuar në rubrikën “Opinon” në News24, për të folur për aktualitetin në Shqipëri, u shpreh se aksionet e fundit për lirimin e hapësirave publike janë një gjë kalimtare, teksa në vjeshtë do të vijojë e njëjta rutinë.

Duke komentuar edhe punën e SPAK, Agolli u shpreh se shumë njerëz e shohin punën e këtij institucioni si e vetmja shpesë dhe, sipas tij, Prokuroria e Posaçme do të vijojë të ketë rezultate të mira edhe në vijim, ashtu siç ka pasur deri më tani.

Ilirjan Agolli: “Aksioni i lirimit të hapësirave publike nuk nisi nga Thethi, por nga Vlora në Lungomare. Po të kthehemi pas, në çdo fillim mandati të ri, kryeministri Rama ka bërë nga një goditje në territor, madje edhe kur e ka nisur punën si kryebashkiak, e ka nisur pikërisht me trotuaret.

Kam përshtypjen se shumica e njerëzve në pushtetin lokal bëjnë gjoja sikur punojnë. Edhe aksionet e tanishme bëhen vetëm në faqet e dukshme të ndërtesave, pasi në nga pas apo në brendësi nuk lëviz asgjë. Meqë po bëhet ky aksion, pse ekspertët nuk masin përmasat për zjarrfikëset që të futen në rrugica. Nuk dua të jetë një gjë e përkohshme, por e përhershme dhe e qëndrueshme. Kam frikën se do të jetë sërish një gjë kalimtare për verën dhe në vjeshtë e njëjta rutinë.

Sa i takon punës së SPAK, mendoj se do të ketë rezultate, ashtu siç ka pasur deri tani. Kam shumë besim, ashtu si shumë qytetarë të tjerë, se SPAK do të ketë rezultate shumë të mira, pavarësisht se masat e dënimeve nga gjykatat në fund nuk janë aq të mëdhaja sa do të donin njerëzt, por aq parashikojnë nenet përkatëse. Ka dhe do të ketë shumë procese të tjera në duar SPAK-u që do të përmirësojë jetën tonë. Njerëzit kanë besim te SPAK, si e vetmja shpresë.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb