Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, i ftuar në studion e News24, ka komentuar situatën e aksionit opozitar dhe diskutimet mbi protestat e mundshme të PD-së. Ai theksoi se foltoret e mbajtura ditët e fundit nuk duhet të ngatërrohen me protestat reale të opozitës.
“Për ne nuk ka rëndësi numri i njerëzve në foltore, rëndësi ka hapësira,” u shpreh Bozdo, duke nënvizuar se foltoret po zhvillohen si pasojë e kufizimeve që opozita has në Kuvend. “Kur të ketë protestë, do e merrni vesh dhe do shikoni tjetër gjë.”
Sipas tij, seancat parlamentare po mbyllen me shpejtësi dhe opozitës nuk po i jepet hapësira e duhur për të shprehur qëndrimet e saj, çka ka detyruar PD-në të organizojë foltore dhe takime me qytetarët jashtë Kuvendit.
“Foltoret janë organizuar pasi në Kuvend hapësirat tona janë pakësuar. Seancat mbyllen dhe nuk na jepet hapësira si opozitë,” shtoi ai.
Bozdo theksoi se aksioni opozitar do të marrë një formë tjetër kur të vijë momenti i protestave të mëdha: “Kjo nuk është protestë. Kur të kemi protesta, do jetë tjetër organizim.”
