Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka ka nxitur debat brenda grupit parlamentar gjatë mbledhjes së djeshme me dyer të mbyllura, duke kritikuar disa deputetë të opozitës për sjelljen e tyre në Kuvend. Ligjvënësit demokratë duken të ndarë në qëndrimet e tyre, mes radikalizimit të aksionit brenda sallës së Kuvendit tezë e cila mbështet nga disa prej tyre, dhe veprimeve të përmbajtura që mbështet pjesa tjetër.
Për BalkanWeb dhe News24, gazetari Osman Stafa ka siguruar pjesë nga debatet. Noka është shprehur me tone të forta gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura duke deklaruar: “Kushdo që mendon se është në Kuvend për të ardhur me kostum 5000 euro apo kollare 2000 euro, dhe për të bërë foto në foltore, asnjë lidhje nuk ka me nevojën që kanë qytetarët për përballje, për rezistencë, për betejë”.
Klevis Balliu është shprehur se opozita nuk do të shndërrohet në fasadë në Kuvend, duke shtuar se kjo është ajo që do kryeministri Edi Rama.
Por Luan Baçi ka “këshilluar” për “kujdes” dhe “kontroll të emocioneve” nga ana e deputetëve të PD.
Pjesë nga debatet
Flamur Noka: Miq, ne jemi deputetë të opozitës dhe opozita ka disa të drejta që ne nuk i lëshojmë kurrë. Një rregull që vepron prej 35 vitesh në Parlament nuk mund të na diktojë Niko Peleshi dhe Taulant Balla një gjë ndryshe tani. Ne jemi ne Kuvend për betejë, jo për nënshtrim. Kushdo që mendon se është në Kuvend për të ardhur me kostum 5000 euro apo kollare 2000 euro, dhe për të bërë foto në foltore, asnjë lidhje nuk ka me nevojën që kanë qytetarët për përballje, për rezistencë, për betejë. Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa janë të drejtat tona. Të drejtat tona do ti mbrojmë. Nuk nënshtrohemi. Kush ka frikë nga përballja, dëshiron të nënshtrohet, të vazhdojë por kjo s’ka asnjë lidhje me opozitarizmin.
Klevis Balliu: Mendoj që nuk duhet ta lejojmë që ata të na heqin të drejtat që na njeh rregullorja. Kush është Taulant Balla të na tregojë ne sesi duhet të flasim dhe se cfarë duhet të pyesim. Pyetjet nuk lexohen, prezantohen për publikun dhe atë e bën deputeti. Në çdo seancë sajojnë një provokim të ri. Nëse e leshojmë tani bëhemi fasadë në Kuvend, dhe Edi Rama këtë don një opozitë fasadë në Kuvend.
Luan Baçi: Edhe unë nuk jam për nënshtrim, por duhet të jemi më të kujdesshëm. Duhet të jemi më pak emocional.
