Deputetja e PD Jorida Tabaku, ishte e ftuar këtë të shtunë në emisionin “Kjo Javë” me moderatore Nisida Tufa, ku foli për aksionin e paligjshmërisë në ndërtim që qeveria ndërmori në Theth.

Tabaku e ka cilësuar aksionin të panevojshëm, jashtë çdo etike njerëzore dhe jashtë çdo morali të zbatimit të ligjit.

Sipas saj, bizneset në Theth u ndërtuan me bekimin e ligjit, i cili ka vepruar në mënyrë selektive duke mbrojtur të fortin.

“Para zgjedhjeve u legalizua një pjesë e ndërtimeve, kush vendosi që këto 200 të legalizohen e të tjerë jo. Si u përcaktua që disa janë të nënës e disa të njerkës. Këtu filloi selektiviteti dhe këtu fillon shteti që është gjithmonë me të fortin”, tha deputetja Jorida Tabaku.

Tabaku shigjetoi pushtetin vendor dhe strukturat e tjera të shtetit që dhanë bekimin, pasi sipas saj, ato ndërtime atje i janë inauguruar nga përfaqësues të lartë të mazhorancës, u janë lidhur dritat uji.

“Ka një inspektoriat që kontrollon territorin, ata janë inkurajuar pasi u është thënë hajdeni investoni, pasi në Theth po krijohet një infrastrukturë mikpritëse dhe pastaj këto prishen”, tha Tabaku.

Jorida Tabaku: Ne jemi mësuar që të shohim që aksione të tilla që duan të tërheqin vëmendjen, qoftë për diçka që ka ndodhur ose për të krijuar përshtypjen të një shteti që funksionin me rregulla janë kryer këto vite.

Një herë në dy vite ti dëgjon aksion për ndërtime pa leje. Njëherë në vit ti dëgjon për tregjet, karburantet, pra është bëre normale shteti me aksione, ose gjatë verës psh vjet kanë qenë shtesat e kateve të pallateve të palegalizuara,

Duke kaluar tek Thethi, për mua e shumë qytetarë që e kanë ndjekur qeverisjen në 12 vite, shteti nuk qeveriset me aksione. Filozofia e qeverisjes me rregulla duhet të ekzistojë cdo ditë të vitit, pavarësisht se kanë mbaruar zgjedhjet apo jo.

Ajo që ndodhi në Theth për mua është pasqyra më e qartë se si qeveris Rama, pasi ato ndërtime janë bërë me bekimin e qeverisë, pushtetit lokal, me bekimin e gjithë infrastrukturës së shtetit, pasi ato ndërtime atje së pari janë inauguruar nga përfaqësues të lartë të mazhorancës, u janë lidhur dritat uji, ka një inspektoriat që kontrollon territorin, ata janë inkurajuar pasi u është thënë hajdeni investoni, pasi në Theth po krijohet një infrastrukturë mikpritëse dhe pastaj këto prishen.

Pse i kam lidhur me paketën e maleve, në fakt është paketa e vjedhjes së maleve.

Prishja e ndërtimeve në Theth ishte e panevojshme, jashtë çdo etike njerëzore, ishte jashtë çdo morali të zbatimit të ligjit, këta njerëz i kanë ngritur bizneset me bekimin e ligjit. Dhe atje në atë zonë respektohet aq shumë e drejta e pronës sa askush nuk kishte cënuar të drejtën e pronës. Ndonëse nuk e kishte të regjistruar pronën të gjithë, atje nuk cënohet, ata janë familje që njihen me njëri-tjetrin, kanë qindra vite

Para zgjedhjeve u legalizua një pjesë e ndërtimeve, kush vendosi që këto 200 të legalizohen e të tjerë jo. Si u përcaktua që disa janë të nënës e disa të njerkës. Këtu filloi selektiviteti dhe këtu fillon shteti që është gjithmonë me të fortin.

Paketa e maleve ose e vjedhjes së maleve që ne e kemi denoncuar para fushatës elektorale, dhe ka shkuar dhe në KQZ ka qenë brenda periudhës së ndaluar të paketës ligjore, ka në thelb konfliktin pronësor ku një investitor ose dikush që e ka përdorur pronën vjen dhe investon atje.

Kjo është pak a shumë ajo ligji i investimeve strategjike që ka ndodhur me investimet në jug.

Në parim kemi qenë kundër nismave të tilla sepse krijon një konflikt në pronat që Shqipëria nuk ka luksin ta ketë kur ende pas 34 vitesh nuk është zgjidhur çështja e pronave. Dhe së dyti i jep favore speciale një pakice, për taksat, ndërtimin, pse mos t’ia japë atyre sipërmarrësve të Thethit që kanë 30 vite që investojnë.

Sa i takon imazhit të shtetit, askush nuk do të donte të shihte ato pamje në Theth, policë me armë të ngritura në mes të sezonit turistik, nuk është një pamje që duhet ta ketë turizmi, një pamje ku shteti vjen me forcën që i japin institucionet. Nuk është një pamje që duhet ta ketë Shqipëria, që tregon abuzimin, forcën. Për mua, Thethi është simboli i mënyrës se si funksionon kjo ka ndodhur shumë herë brenda 12 viteve që shteti ka qenë gjithmonë me të fortin. Që shteti ka favorizuar të fortin dhe Shqipëria është kthyer në një vend të papërballueshëm për biznesin e vogël, duke krijuar perceptimin pse duhet të largohemi nga ky vend. Këtu duhet të jesh ose i fortë ose i madh, sepse ky sistem i ngritur favorizon këtë grup njerëzish pranë qeverisë.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb