TIRANE – Policia e Shtetit në bashkëpunim me OSHEE ka vijuar edhe gjatë kësaj jave punën e përbashkët për evidentimin dhe vënien para drejtësisë të autorëve të vjedhjes së energjisë elektrike, si dhe për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike. Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se gjatë periudhës 23.08.2015 deri më 30.08.2015, në të gjithë vendin kanë vepruar çdo ditë 100 grupe, të cilat kanë kryer
kontrolle të përbashkëta në 5.678 raste.
Si rezultat i kontrolleve të kryera në terren në abonentët biznes dhe familjarë, janë evidentuar 42 raste të vjedhjes së energjisë elektrike me 42 autorë. Nga këta, janë arrestuar në flagrancë 18 persona të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike, ndërsa 12 persona po procedohen në gjendje të lirë.
Mësohet se gjatë kësaj jave janë ndërprerë 1.923 lidhje të abonentëve debitorë dhe 42 lidhje të paligjshme. Gjithashtu janë kontrolluar 104 kabina elektrike dhe abonentët që furnizohen nga këto kabina.
Policia e Shtetit dhe OSHEE theksojnë se janë të vendosur “ta çojnë deri në fund punën e nisur, deri në shkëputjen e fundit të lidhjeve të paligjshme, duke përballur me forcën e ligjit të gjithë ata persona, të cilët abuzojnë me energjinë elektrike, duke e vjedhur atë, qofshin këta përfaqësues biznesesh, individë, apo punonjës të vetë OSHEE-së”.
(er.nu/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: