Partia Demokratike ka dënuar ashpër incidentin e ndodhur gjatë protestës së të shtunës në Tiranë, ku u gris flamuri në ambasadën e Izraelit. Përmes një reagimi në rrjetet sociale të dielën, Sali Berisha e ka cilësuar këtë ngjarje si një akt ekstremist që cenon raportet mes dy popujve.
Në mesazhin e tij, Berisha kërkoi vënien e menjëhershme të autorit përpara drejtësisë.
“Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe grisjen e flamurit të Izraelit të ngritur në ambasadën e këtij vendi si një akt kriminal, ekstremist, antisemit që bie ndesh me ndjenjat dhe lidhjet tradicionale që bashkojnë dy kombet dhe dy vendet tona dhe kërkon ndëshkimin e merituar ligjor të autorit,” deklaroi Berisha.
Ky reagim i selisë blu erdhi pak orë pasi Ministria e Punëve të Jashtme dënoi zyrtarisht ngjarjen. Ministria e cilësoi aktin si një veprim të pajustifikueshëm që bie ndesh me traditën e njohur shqiptare të mikpritjes, harmonisë dhe respektit reciprok, duke nënvizuar se sjellje të tilla nuk janë të denja për Shqipërinë dhe popullin e saj.
