Gjykata Speciale ka njoftuar se aktgjykimi i shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve në rastin kundër administrimit të drejtësisë do të shpallet më 17 nëntor.
Gjyqtari Christopher Gosnell e ka caktuar paraditen e 17 nëntorit si datën për shpalljen e aktgjykimit në rastin ku janë të përfshirë edhe Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu, dhe Hajredin Kuçi.
“Më 12 tetor 2026, Gjykatësi i Vetëm për gjykimin e çështjes, gjykatësi Gosnell, caktoi datën për seancën e shqiptimit të Aktgjykimit në çështjen kundër Thaçit, Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit, e cila do të mbahet ditën e martë, 17 nëntor 2026, në orën 10:00. Më shumë hollësi do të gjeni në Urdhrin për Caktimin e Datës”, thuhet në njoftimin e gjykatës në Hagë.
“Gjyqtari i vetëm, pasi ka dëgjuar fjalët përfundimtare të palëve e ka mbyllur çështjen në përputhje me rregullin 136, më 14 shtator 2026. Aktgjykimet duhet të shpallen, në përputhje me nenin 43 të Ligjit, në seancë publike dhe të shoqërohen me një mendim të arsyetuar me shkrim. Rregulli 159 kërkon që ato të shpallen në emër të popullit të Kosovës, brenda nëntëdhjetë ditëve nga mbyllja e çështjes dhe në praninë e të akuzuarve, përveç rasteve kur rrethana të jashtëzakonshme e arsyetojnë mungesën e tyre. Gjyqtari i Vetëm, me këtë urdhër: CAKTON shpalljen e aktgjykimit të gjykimit për të martën, më 17 nëntor 2026, në orën 10:00, në seancë publike; dhe URDHËRON zotërinjtë Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi që të jenë fizikisht të pranishëm në selinë e Dhomave të Specializuara në Hagë për shpalljen e aktgjykimit të gjykimit”, thuhet në vendimin për caktimin e datës.
/Kosovapress/
