Shefi i Organizimit në Partinë Demokratike, Klevis Balliu, është shprehur se sulmi i qeverisë ndaj “Prestige Resort” është sulm ndaj Departamentit Amerikan të Shtetit. Komentet Balliu i bëri në një intervistë për Panorama TV, ku tha se shqiptarët do të detyrohen të paguajnë miliona euro për shkak të paligjshmërive të kryeministrit Edi Rama. Ai shtoi se Rama përfaqëson një linjë anti-amerikane dhe sipas tij kryeministri priti pikërisht ditën e sotme për të goditur “Prestige Resort”, fill pas raportit të DASH.

Sipas tij, me provat e nxjerra nga pronari i “Hysenbelliu Grup”, drejtësia duhet ta kishte marrë Ramën për veshi dhe ta çonte te 313.

“Sot organet e drejtësisë duhet të ishin te “Prestige Resort”, dhe të çonin pas hekurave me radhë që nga Dallëndyshe Bici dhe deri te Edi Rama. Kur Edi Rama kërkoi që Neës 24 të mbyllte gojën dhe sytë, kur Hysenbelliu nuk pranoi, ai hodhi në erë resortin. Sot DASH pas raportit që bëri për këtë çështje mori këtë përgjigje rusofile. Edi Rama ka një problem, ai raport është prova që shqiptarët do të paguajnë miliona euro për prestige resort.

Sepse raporti i DASH do të merret për bazë në Gjykatën ndërkombëtare. Nuk do merret për bazë raporti i motrës së Ballukut. Do të duhet ta paguajmë ne të gjitha paratë e resortit. Kjo do të fitohet njësoj si u fitua “Begeti” dhe ktu ka një ndryshim, sepse sulmi është ndaj DASH. Rama përfaqëson një linjë anti-amerikane, është rusofil. Ai bashkëpunon me Putinin dhe Vuçiçin. Ai kërkonte të sulmonte DASH, i cili e bëri këtë raport për të mbrojtur lirinë. Ai raport e shpjegon, që ky sulm ishte një sulm pasi mediat e Hysenbelliut kanë bërë transparenca ndaj aferave të qeverisë. Rama këtë çështje do ta vuajë shumë në kurriz.

Një njeri që po hetohet nga SHBA, po hetohet në SHBA për lidhjet me McGonigal, bën këtë reagim të panikut. Mos prisni vijë logjike te një njeri që është kapur në panik. Ndoqa intervistën e pronarit të Hysenbelliu Grup dhe vetëm ajo intervistë mjaftonte që drejtësia ta kapte për veshi Ramën dhe ta çonte te 313. Çështja është se përse nuk është arrestuar ende ky njeri. Sulmi sot ndaj Prestige Resort, ishte sulm ndaj DASH”, është shprehur Balliu.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: