Në komisionin parlamentar për ekonominë e financat është shqyrtuar sot akti normativ për buxhetin e 2018 ku ka raportuar Ministri për Financat dhe Ekonominë Arben Ahmetaj.
Ndërsa foli për ekonominë deri në këtë periudhë të vitit duke dhënë shifra, Ahmetaj ka dhënë edhe lajmin e mirë për pensionistët.
Ministri Ahmetaj tha se këtë vit paketa e solidaritetit është e konsoliduar në buxhet me një shifër konkrete duke njoftuar se në fund të vitit pensionistët do të përfitojnë 5 mijë lekë shpërblim.
“Në mënyrën se si e afrojmë paketën e solidaritetit nuk ka asnjë lidhje me vitin elektoral. Shikoni kohën kur ne japim bonuese ndërkohë që ata e kanë dhënë vetëm në vite elektorale. Paketa e solidaritetit është kthyer në standard dhe kjo është arsyeja pse e kemi sjellë të konsoliduar në buxhet me shifër konkrete për të garantuar ata që përfitojnë se qeveria ka vëmendje totale të qytetarët”, u shpreh Ahmetaj.
Gjatë fjalës së tij, Ahmetaj tha se viti 2018 ka shënuar rekorde historike për investimet e huaja dhe për turizmin. Ai theksoi se synimi i qeverisë është rritja ekonomike nga 4 deri në 4.2%.
(m.k/BalkanWeb)