Aktivisti Mateo Hyskollari, në një prononcim për gazetarin e News24 Klevin Muka nga protesta, u shpreh se kërkesa kryesore e të rinjve që prej tri ditësh ndodhen në shesh është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Sipas Hyskollarit, protestat e ditëve të fundit tregojnë se revolta e të rinjve ka shpërthyer dhe se mesazhi i tyre i drejtohet si qeverisë, ashtu edhe qytetarëve. Ai theksoi se, pavarësisht anulimit të seancës parlamentare, të rinjtë po vijojnë të marshojnë drejt Parlamentit, duke këmbëngulur në kërkesën për largimin e Ramës. Aktivisti ngriti gjithashtu shqetësimin për gjendjen e arsimit në Shqipëri, duke deklaruar se ai është kthyer në një privilegj, pasi shumë familje nuk arrijnë të përballojnë shpenzimet e studimeve. Sipas tij, problematikat me të cilat përballen studentët janë të shumta, ndërsa përmendi edhe mosrealizimin e plotë të objektivave të Paktit për Universitetin, të prezantuar në vitin 2018.
Hyskollari u ndal edhe te kostoja e lartë e jetesës në Tiranë, duke theksuar se çmimet e bëjnë gjithnjë e më të vështirë për studentët përballimin e shpenzimeve. Sipas tij, këto janë problematika sociale që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e të rinjve dhe që kanë dalë në pah edhe gjatë protestave të ditëve të fundit.
“Besoj që kërkesa e të rinjve dhe të rejave që ndodhen sot prej 3 ditësh në shesh, ata mëshojnë të thonë: ‘Rama, jep dorëheqjen’. Ajo është kërkesa e tyre. Këto dy ditë kanë treguar se revolta në brendësinë e tyre ka shpërthyer dhe ky është mesazhi që duan t’i japin popullit dhe qeverisë. Edhe pse Parlamenti u anulua, të rinjtë po shkojnë atje. Të rinjtë kërkojnë që të dorëhiqet Rama.
Arsimi në Shqipëri është kthyer në privilegj. Familjet e tyre nuk i përballojnë dot shpenzimet. Problematikat e studentëve janë të shumta, që nga viti 2018, Pakti i Universitetit nuk u përmbush me sukses. Çmimet në Tiranë janë shumë të larta dhe për studentin nuk janë të përballueshme. Këto janë probleme sociale që lidhen me studentin.”, tha ai.
