Në ditën e 75-të të protestave kundër qeverisë, qytetarët vijojnë qëndrimin e tyre para Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të kabinetit qeveritar.

Gjatë protestës, një prej aktivistëve deklaroi se qëndresa do të vijojë deri në largimin e qeverisë, duke e cilësuar protestën 75-ditore si një dëshmi të vullnetit të qytetarëve për ndryshim.

“Edhe sot jemi këtu, plot 75 ditë, për t’i treguar këtij pushteti se ne nuk largohemi pa u larguar këta. 75 ditë që ngjallëm besimin se Shqipërinë e pabërë mund ta bëjmë”, u shpreh ai.

Aktivisti akuzoi kryeministrin dhe qeverinë se nuk kanë përmbushur, sipas tij, kontratën me qytetarët shqiptarë, duke përsëritur thirrjen për dorëheqje.

“75 ditë për t’i treguar kryeministrit ende në detyrë se ai dhe qeveria e tij duhet të dorëhiqen, pasi nuk e kanë përmbushur kontratën me popullin shqiptar. Dorëheqje! 75 ditë që e kanë plakur Edi Ramën dhe i kanë nxjerrë fytyrën e tij të vërtetë”, deklaroi aktivisti.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: