Aktivistja iraniane e të drejtave të njeriut Nargis Mohammadi, e cila u nderua me Çmimin Nobel të Paqes të këtij viti, vazhdon sot – në ditën e ceremonisë së ndarjes së çmimit – një grevë urie në burgun famëkeq Evin në kryeqytetin e Republikës Islamike, ku ajo mbetet e burgosur.

Ajo ka nisur protestën e saj treditore dje, 24 orë para ceremonisë së Nobelit në Oslo, ka bërë të ditur përmes Instagramit. Llogaria e saj në rrjetin social menaxhohet nga miqtë e gazetares 51-vjeçare.

Zonja Mohammadi theksoi se “në ditën e ceremonisë, unë dua të jem zëri i iranianëve që protestojnë kundër padrejtësisë dhe shtypjes”.

Ajo pritet të përfaqësohet në Oslo nga bashkëshorti i saj, gazetar dhe aktivist, i cili gjithashtu ishte i burgosur prej disa vitesh në Iran, dhe fëmijët e saj binjakë.

Ajo u nderua me Çmimin Nobel për Paqe për “luftën e saj kundër shtypjes së grave në Iran” dhe “për promovimin e të drejtave të njeriut dhe lirisë për të gjithë”.

Zonja Mohammadi, një nga aktivistet më të njohura të Iranit, është burgosur vazhdimisht që nga fundi i viteve 1990.

Në fund të vitit 2022 – në mes të kryengritjes së shkaktuar nga vdekja e një gruaje të re kurde, Mahsa Amini, vetëm 24 orë pasi ajo u arrestua nga policia e moralit për gjoja shkelje të kodit të rreptë të veshjes së Republikës Islamike për gratë – ajo nxori në dritë një raport që zbuloi se dhjetëra gra janë torturuar në burgun e sigurisë maksimale ku ai mbahet.

Në letrën e saj, të cilën e ka nxjerrë në dritë në fillim të këtij muaji televizioni suedez, ajo ka theksuar se ajo që i mungon më shumë janë fëmijët e saj: “Kam më shumë se tetë vjet pa i parë”. Fëmijët, Ali dhe Kiana, janë planifikuar të marrin sot, medaljen e artë të nënës së tyre në Oslo dhe të mbajnë fjalimin në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në emër të saj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb