Në aktivitetin e mbajtur sot në sheshin qendror të Durrësit “Dita e hapur” e Forcave të Armatosura i madh ishte interesimi i nxënëseve të shkollave të mesme të qytetit për t’u njohur nga afër me benefitet që garanton rekrutimi në FA.

Numri i grave dhe vajzave të rekrutuara pranë Forcës së Armatosur Shqiptare ka ardhur duke u rritur vitet e fundit. Aktualisht, në FA, në raport me kolegët e tyre meshkuj, vajzat dhe gratë janë rreth 15%.

“Vitet e fundit shohim një tendencë në rritje të femrave, të cilat duan të   bëhen pjesë e Forcave të Armatosura. Ky numër varion nga 13-15% e numrit total të atyre të aplikojnë për t’u bërë pjesë e jona. Angazhimi në ushtri është një udhëtim me sfida, është një aventurë dhe unë ua këshiloj vajzave që duan të bëhen dikushi në jetë, sepse është një profesion që të jep shumë mundësi”,- tha majorja Denisa Pëllumbaj.

Aktiviteti “Dita e hapur” tashmë është kthyer në një traditë të përvitshme. Turi në të gjitha qarqet e vendit u jep mundësi drejtuesve të Qendrës Kombëtare të Rekrutimit të marrin kontakte të drejtpërdrejta me të rinjtë, që shfaqin interes për t’u angazhuar në trupat tokësore apo ato detare të ushtrisë sonë.

Koloneli Fadil Ciroku pohon se dy vitet e fundit interesimi i të rinjve ka qenë i lartë.

“Forcat e Armatosura kanë aplikuar dhe kanë shpallur për t’u rekrutuar në të gjithë territorin e Shqipërisë një kuotë prej 390 ushtarë profesionistë. Në Durrës trendi është çdo vit në rritje. Dirrësi ka fatin që të ketë Forcën Detare, duke qenë se është qytet bregdetar. Nëse do t’i referohemi statistikave të viteve të fundit ju deklaroj që viti 2023 ka pasur tendencë rritje në krahasim me vitet e tjera dhe po e njëjta gjë është dhe kjo fazë rekrutimi”.

Përmirësimi i kushteve në ushtri dhe akademi, mbështetja financiare dhe shumë lehtësira të tjera, kanë bërë që interesi për rekrutim i të rinjve të rritet, pavarësisht shkollimit të tyre 9-vjeçar, të mesëm apo të lartë.

Forcat e Armatosura do të vazhdojnë turin e rekrutimit dhe ekspozimit të mjeteve ushtarake dhe municioneve në qytete të ndryshme të vendit në javët në vijim.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb