Jeta ka sfidat e saj të shumta dhe të panumërta. Megjithatë, në rrugëtimin e saj bien dhe ngarkesa që nuk janë të barabarta për të gjithë. Sa e vështirë të shkruash për problemet me të cilat përballen njerëzit në këtë botë! Në rrjetet sociale, pas një dite të lodhshme pune por plot energji, shikoj një status i cili njoftonte për sëmundjen me të cilën po lufton aktorja e dashur e Gjirokastrës Irena Pilo, në teatrin “Zihni Sako”. Puna si gazetare më ka bërë që të takohem me të në një nga shfaqet e dhëna në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në kryeqytet. Arrita t’i merrja një intervistë në mesin e shumë kolegëve të saj. Më tregoi se nuk i pëlqente gazetarët, por e kuptova dhe qesha. Në fakt nuk është e vetmja, as që e gjykova këtë fakt.
Nuk po e besoja që ishte e sëmurë, veten po e ushqeja se e kisha parë gabim. Më pas, një nga koleget fort të dashura të saj, Liliana Ristani po apelon në rrjetet sociale, media, biznese e kudo, për këtë kauzë të fortë. Lufta ndaj tumorit, një epilog që nuk gjen kurrë paqe! Në takimin e shkurtër me Irenën kur e kam intervistuar për Radion Tiranën, më patën mbetur në mendje buzëqeshja dhe mirësia që buronin natyrshëm. Publiku shqiptar e ka njohur në disa shfaqje para viteve ’90, si “Erashka” apo “I padjallëzuari”, komedi greke. Gjithashtu, në skenën e Gjirokastrës, atë të Kalasë së Argjirosë, në skenat e koncerteve të shumta në stadiumin e qytetit të gurtë, në mbresëlënësin Festival Folklorik Kombëtar, në skenën e Odeonit. Po ashtu, edhe qyteti bregdetar i Vlorës, në prezantimin e edicionit të parë të “Aulona Inter Folk Festival” në vitin 2009, ku së bashku me të mrekullueshmen Liljana Kumbaro shkëlqyen në këtë skenë. Simboli i gruas gjirokastrite, nëna dhe figura e realizuar Irena Pilo ka nevojë për të gjithë ne shqiptarët brenda vendit e jashtë. Thirrja e aktorëve të Teatrit të Gjirokastrës për mbështetje financiare është shumë e domosdoshme dhe e qenësishme në këto ditë të sfidës për Irenën. Pas fazës së dytë të kimioterapive, ajo do t’i nënshtrohet transplantit të palcës kurrizore. Brenda mundësive tuaja, ju lutem të kontribuojmë për të realizuar këtë ndërhyrje.
Në vijim do të gjeni dhe numrin e llogarisë: Raiffeisen Bank Albania account name: NIKOLLA ANDON PILO iban: AL08202610010000000001899141 swift code: SGSBALTX
Oralda Lahe
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
