Aktori Daniel Stern, i njohur për publikun si Marv në dyshen komike “Wet Bandits” në filmin legjendar “Home Alone”, ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në asnjë aktivitet që shënon 35-vjetorin e premierës së filmit. Stern, sot 68 vjeç, zbuloi se arsyeja nuk ka të bëjë me filmin apo me nostalgjinë, por me mënyrën e re të jetesës që ai ka zgjedhur, një jetë më të qetë, larg zhurmës së Hollywood-it. “Nuk do të largohem nga ferma ime”,- tha aktori me humor, duke nënkuptuar se tashmë është bërë një “djalë i vërtetë shtëpie”.
Ai theksoi se vendimi nuk është aspak një fyerje për filmin kult të vitit 1990, por thjesht preferenca e tij personale për të qëndruar në rutinën e përditshme si artist dhe fermer. “Një telefonatë… një Zoom… jam këtu”,- shtoi ai me të qeshur, duke lënë të kuptohet se është i hapur vetëm për komunikim virtual.
Personazhi i Stern, Marv, është një nga figurat më të dashura të komedisë familjare, një hajdut i pafat që, së bashku me partnerin e tij Harry (Joe Pesci), përpiqet të grabisë shtëpinë e Kevin McCallister, luajtur nga Macaulay Culkin. Përpjekjet e tyre të dështuara u kanë dhuruar brezave të tërë skena ikonike dhe të paharrueshme.
Pas viteve në Hollywood, Stern u tërhoq nga jeta publike dhe u zhvendos në një fermë në Kaliforni, ku i është përkushtuar artit dhe punës së tokës, një ritëm që ai thotë se i sjell qetësi dhe gëzim të vërtetë.
Megjithëse nuk do të jetë pjesë e festimeve të këtij përvjetori të rëndësishëm, aktori pranoi se është i ndërgjegjshëm për ndikimin e jashtëzakonshëm të filmit dhe faktin që “Home Alone” mbetet një traditë e përjetshme e festave të fundvitit në mbarë botën. Ai shprehu mirënjohje që filmi vazhdon të jetojë, por preferon ta shijojë suksesin nga distanca.
