NGA KLODIANA HAXHIAJ
DURRES– Edmond Halili aktori i humorit me mbi 200 role, vjen ndryshe në mikrofonin e “News 24”. Ai tregon historinë e dhimbshme të jetës së tij, si ndryshoi ajo pasi regjimi komunist i pushkatoi vëllain 25-vjeçar, që në vitin 81 tentoi të arratisej nga Shqipëria. Ne të gjithë e njohim si aktorin e humorit, të talentuar e popullor.
Ai është shkodrani që jeton prej më shumë se një dekade në Durrës, dhe ngjitet në skenë, e na bën të harrojmë hallet e jetës së përditshme. Por askush si ai, nuk e ka provuar brenda shpirtit të tij, se çdo të thotë, “të shuash gëlqere në një gropë gëlqereje çdo ditë nga mëngjesi deri në mbrëmje, të heqësh kominoshet e punës krejtësisht të bardha e të ngjitesh në skenë për të bërë publikun të qeshë”.
Askush si ai, nuk e di çdo të thotë, që për asnjë ditë të vetme të mos kesh mundësi të vajtosh me zë, e me lot, të mbash zinë e vëllait 25-vjeçar të pushkatuar në kufi, në tentativë për t’u larguar nga vendi i zhytur në mjerim e skamje.
Është aktori i humorit Edmond Halili, i cili në një intervistë për “News 24” rrëfen pengun e madh në jetën e tij. Në 17 gusht vëllai i tij, Tristani, bën plot 25 vjet që u pushkatua, në moshën 25-vjeçare, në kufirin me Malin e Zi, në tentativë për tu larguar nga vendi, dhe që atëherë, nuk ka mundur dot t’i bëjë një varr vëllait.
Për asnjë ditë nuk i hapën dyert e mortit. Për asnjë ditë nuk u vesh as nëna e as motrat e tij me të zeza, ndërsa kalvari i vuajtjeve të të gjithë familjes ishte i madh, deri në mbërritjen e demokracisë. Edmond Halili në një rrëfim të parë për jetën e tij, vjen pa maskën e aktorit, por më Ii sinqertë se kurrë më parë.
Me 200 role në skenë dhe një karrierë mbi 40-vjeçare, aktori falënderon popullin shkodran, që i ka qëndruar afër familjes së tij në ditët më të errëta.
(el.sp/BalkanWeb)
