Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon kontrollet e njëpasnjëshme për monitorimin e zbatimit të ligjit në të gjithë operatorët e biznesit ushqimor, në funksion të mbrojtjes së shëndetit të konsumatorëve dhe garantimit të sigurisë ushqimore në vend. Nga kontrollet e ushtruara, rezultoi se 3 operatorë të biznesit ushqimor ushtronin aktivitetin në kundërshtim me kërkesat ligjore, më konkretisht:

Subjekti “Syrja Sinani” me aktivitet “Pastiçeri”, Lushnjë, rezultonte se vijonte të operonte në treg i papajisur me licencën përkatëse, në kushtet ku pajisja me licencë i ishte refuzuar për shkak të mosplotësimit të kërkesave ligjore për disponimin e saj. Për ushtrim të aktivitetit duke mos disponuar licencën përkatëse, trupa inspektuese vendosi masën administrative “Gjobë” me vlerën 1,000,000 lekë, si dhe “Ndërpreje e menjëhershme e aktivitetit”.

Në subjektin “Qemal Alem Kasneci” me aktivitet “Minimarket ushqimor”, Tiranë, u evidentua se përpara derës hyrëse qëndronte një mjet i palëvizshëm, i cili shërbente për tregtimin e ujit të pijshëm. Pranë QKB, subjekti ka deklaruar aktivitetin si “Tregtim me pakicë të artikujve ushqimore, tregtim të ujit me bote, transport dhe shitje uji derë-më-derë”, aktivitet për të cilin ka deklaruar dy mjete, por që asnjëra prej tyre nuk përkonte me mjetin që ndodhej përpara subjektit. Kushtet higjieno-sanitare të mjetit ishin të papërshtatshme, nuk dispononte regjistra të pastrimit të botit të ujit, raport analiza mikrobiologjike dhe as sistemin e gjurmueshmërisë. Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese mori masat e mëposhtme:
“Gjobë” me vlerën 300,000 lekë (mungesë të kushteve higjeno-sanitare),
“Gjobë” me vlerën 200,000 lekë (mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë),
“Gjobë” me vlerën 200,000 lekë (veprim në kundërshtim me përgjegjësite e operatorit të biznesit),
“Ndërprerje e menjëhershme e aktivitetit” (tregtim i ujit të pijshëm).

Subjekti “IMT Albania” me aktivitet “Njësi prodhimi dhe tregtimi buke, prodhime brumi dhe pastiçerie”, Tiranë, rezultoi se tregtonte produkte me afat të kaluar përdorimi (miell, lëndë e parë pastiçerie), në produktet e konstatuara kishte prani insektesh, si dhe një sërë produktesh ishin të paetiketuara (xhelatina dhe zbukurime të ngrënshme, kakao, arrë kokosi).

Sistemi i vetëkontrollit HACCP nuk ishte i plotë (produkti akullore, i cili është me risk të lartë, u konstatua i padokumentuar), si dhe nuk dispononte sistemin e gjurmueshmërisë. Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese mori masat e mëposhtme:
“Gjobë” me vlerën 500,000 lekë (hedhje në treg të produkteve të pasigurta për konsum),
“Gjobë” me vlerën 200,000 lekë (moszbatim i planit/manualit të veëtkontrollit),
“Gjobë” me vlerën 200,000 lekë (mungesë e sistemit të gjurmueshmërisë),
“Gjobë” me vlerën 200,000 lekë (veprim në kundërshtim me përgjegjësitë e operatorit të biznesit)
“Gjobë” me vlerën 100,000 lekë (etiketim të produkteve në kundërshtim me kërkesat ligjore),
“Bllokimi i produkteve” për produktet me afat të kaluar përdorimi me qëllim asgjesimin e tyre, si dhe produkteve të paetiketuara deri në etiketimin e tyre konform kërkesave ligjore​.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb