Gjykata e Tiranës ka shpallur fajtore për shpifje aktoren Egla Ceno, pas akuzave që ajo kishte bërë publikisht ndaj moderatorit Saimir Kodra, të cilin e kishte akuzuar për ngacmim seksual.

Në vendimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, Dhoma Penale, u deklarua se Saimir Kodra është i pafajshëm, ndërsa ndaj aktores Ceno u vendos masa e dënimit me detyrimin për të publikuar vendimin gjyqësor.

Sipas vendimit, Egla Ceno do të duhet të bëjë publikimin e plotë të vendimit me shpenzimet e saj, brenda 15 ditëve nga momenti kur ky vendim merr formë të prerë.

NJOFTIM PËR SHTYP

Referuar interesit të shfaqur nga disa gazetarë, komunikohet informacioni zyrtar në vijim:

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Penale, pasi ka mbyllur shqyrtimin gjyqësor të kërkesës penale me palë: viktimë akuzuese S.K., e akuzuar E.C. ka shqyrtuar dhe vlerësuar të gjitha aktet dhe provat të administruara në kuadër të këtij gjykimi penal, ka dëgjuar palët në pretendimet e tyre përfundimtare, në emër të Republikës,

VENDOSI :

Pushimin e akuzës për kryerjen e veprës penale të “Fyerja”, parashikuar nga neni 119/2 i K.Penal, në ngarkim të të akuzuarës E. C., pasi ndjekja penale për këtë vepër nuk mund të vazhdojë në referencë të nenit 328, pika 1, gërma ‘d’ dhe 387 të K.Pr.Penale.
Deklarimin fajtor të të akuzuarës E. C., për veprën penale të “Shpifja” e parashikuar nga neni 120/2 i K.Penal, në dëm të viktimës akuzuese Saimir Kodra dhe në bazë të neneve 30, paragrafi II dhe 43 të K.Penal, dënimin e saj me dënimin plotësues për publikimin e vendimit gjyqësor.
Publikimi i vendimit gjyqësor do të bëhet nga e akuzuara E. C., me shpenzimet e saj brenda 15 ditëve nga dita që vendimi merr formë të prerë.
Publikimi i vendimit do të bëhet tërësisht dhe do të qendrojë për tri ditë në Gazetën “Panorama”, në versionin print dhe online të saj.
Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të të akuzuarës.
Kundër vendimit lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga dita e njoftimit të këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.
U shpall sot në Tiranë, me datë 21.10.2025.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb