Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, lëshoi 12 urdhra ekzekutimi për veprat penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ dhe ‘Mosmarrja e masave për ndërprerjen e gjendjes së paligjshmërisë’, kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim dhe ‘Ndërtimi i paligjshëm’ parashikuar nga nenet 248, 251, 25 dhe 50/h si dhe 199/a/4 të Kodit Penal.

Vendimi për caktimin e masave të sigurimit u dha për zyrtarë të Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit Bashkia Sarandë, punonjës të Komisariatit të Policisë Sarandë dhe biznesmenë në fushën e ndërtimit, në vijim të hetimeve mbi procedimin penal nr.304 të vitit 2026.
Aktualisht u ekzekutuan masat e sigurimit për 4 prej personave nën hetim, konkretisht:
•B.T, me detyrë ish Shefi i Seksionit të Krimeve në Volum në Komisatriatin e Policisë Sarandë, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit ‘arrest në shtëpi’, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës kryer më shumë se një herë;
•K.S, me detyrë Ndihmës specialisti i policimit në komunitet (inspektor) në Komisariatin e Policisë Sarandë, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit ‘arrest në burg’, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ kryer më shumë se një herë;
•K.SH, me detyrë Ndihmës specialisti i policimit në komunitet (inspektor) në Komisariatin e Policisë Sarandë, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit ‘arrest në burg, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ kryer më shumë se një herë;
•A.P, pronar i Hotel “Oasis” ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit ‘arrest në burg’, i dyshuar për veprën penale ‘Ndërtimi i paligjshëm’.
Aktualisht po punohet për ekzekutimit edhe të 8 masave të tjera të caktuara.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë vijon hetimet për identifikimin e çdo rasti, dokumentimin e plotë të faktit penal dhe individualizimin e përgjegjësisë të çdo punonjësi të Komisatriatit të Policisë Sarandë por dhe çdo institucioni tjetër përgjegjës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb