Ish-ministri i Mbrojtjes, Gazment Oketa, ka ngritur pikëpyetje mbi vijimin e hetimeve nga SPAK, duke u ndalur te mundësia nëse drejtësia do të shkojë deri te kryeministri Edi Rama.

Oketa thekson për emisionin ‘Kjo javë’ në News24, se do të ishte gabim i madh nëse drejtësia do të vepronte mbi bazën e perceptimeve dhe jo të provave konkrete. Sipas tij, akuzat për korrupsion ndaj niveleve të larta të qeverisë janë shumë të rënda, duke kujtuar se disa ministra janë aktualisht në paraburgim ose kanë marrë dënime të formës së prerë.

“SPAK nuk duhet të veprojë me perceptim. Duhet të shkojë te kryeministri nëse ka fakte. Unë besoj se ka,” shprehet Oketa.

Ai përmend gjithashtu si rast shqetësues atë të AKSHI, të cilin e cilëson një skandal të rëndë, duke shtuar se në vende të tjera një situatë e tillë do të kishte sjellë pasoja të menjëhershme politike për drejtuesit më të lartë. Në përfundim, Oketa thekson se besimi i publikut te drejtësia varet nga aftësia e saj për të hetuar çdo nivel të pushtetit, pa përjashtime dhe pa u ndikuar nga presionet politike.

Oketa:
Mendoj se do të ishte gabimi më i madh në drejtësia do të veprojë me perceptime. Është e pamundur që dy zv.kryeministrat të akuzohen me fakte për korrupsion. Këto janë akuza të frikshme për një ministre apo zv.kryeministër. 3-4 ministra që janë në paraburgim apo kanë marrë dënim të formës së prerë. SPAK nuk duhet të veprojë me perceptim. SPAK duhet të shkojë te kryeministri nëse ka fakte. Unë besoj se ka. Skandali i AKSHIT ishte shumë i rëndë. Në një vend tjetër kryeministri nuk do të ishte në detyrë as 2 orë. Jo më të dalë dhe të flasë në publik për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Është bërë një reformë në drejtësi. Do të ishte naivitet që nëse do të kalonim në një situatë ideale. Janë po ata nëpunës të shtetit shqiptar. Ky është niveli mesatar që kemi, mos ta idealizojmë por ta pranojmë se po bëhet diçka, ajo çka donte populli, që të goditej dhe niveli më i lartë i politikës. Paradoksi më i madh është se dhe njerëz që janë pasuruar me të drejtë apo të padrejtë, ata vazhdojnë e ushqejnë korrupsionin, flitet për shifra marramendëse. Gati 25 % e buxhetit të investimeve që bën shteti shqiptar, është korrupsion, vidhet. Nëse jepen 4 mld euro, 1 mld shpërndahet mes qeveritarëve, brenda këtij zinxhiri. Ndoshta pjesa gri ka zgjedhur të eliminohet, të largohet nga vendi, ose ka vendosur të tërhiqet në jetën e vetë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: