Ish-Kryeministri Sali Berisha është pyetur në emisionin “Opinion” për akuzat e ngritura ndaj tij nga kreu i PD Lulzim Basha lidhur me rolin e tij në ngjarjet e “21 Janarit”. Duke iu përgjigjur gazetarëve, Berisha tha se atë ditë ka qenë në zyrën e tij, ndërkohë që Basha nuk dihet se ku ka qenë.

Fevziu: Di ndonjë gjë për zoti Basha për 21 Janarin që ne nuk e dimë?
Berisha: Basha është bërë bashkë me zotin Rama për 21 Janarin. Meqë jemi këtu do them. Ka një përcaktim të kryetares së OSBE-së në atë kohë që ajo ishte axhendë pushteti, është zyrtare.

Ka një fakt tjetër. Sali Berisha ka qenë jashtë zyre duke drekuar me ambasadoren e Republikës Federale Gjermane dhe është kthyer në zyrën e tij dhe nuk ka lëviz nga zyra asnjë moment. Ka një fakt tjetër që zyra e tij është qëlluar me plumba dhe ai ka qëndruar në zyrë. Se ku ka qëndruar Lulzim Basha nuk e di.

Fevziu: Ka qenë Ministër i Brendshëm…
Berisha: Është bërë skllav dhe peng i Edi Ramës dhe tregon narrativën e tij.

Fevziu: Ka ndonjë gjë që ne nuk e dimë dhe zoti Basha mund të na e thotë lidhur me 21 Janarin?
Berisha: Çfarë kam dit unë e kam thënë.

I pyetur se kur do të futet brenda selisë së Partisë Demokratike, Berisha deklaroi se ai do të hyjë pas referendumit të thirrur më 18 dhjetor.
“Selia është e jona, nuk ka forcë që na e ndal. Ne mund të shkojmë dhe nesër, por jemi në referendum. Kur të mbarojë referendum do të shkojmë patjetër në seli. Selia nuk është e atyre që organizojnë akte rrugaçërie siç u bë dje. Lulzim Basha është absolutisht organizatori i tyre”, tha Berisha.

Ai ka deklaruar se disa zyrtarë nga SHBA e kanë paralajmëruar për arrestimin e Lulzim Bashës për çështjen e dosjes “Muzin”.
Berisha tha se sipas një raporti të huaj, dosja ‘Muzin’ erdhi në Shqipëri dhe nuk është dorëzuar në prokurori.

“Unë e kam mbrojtur Bashën deri kur mësova se Muzin ka ndërruar dëshminë. Muzin nuk ka deklaruar për Lulzim Bashën. Qëndrimi im nuk ndikohet kurrë nga gjë tjetër përveçse asaj që mendoj se është e vërtetë. Mua më kanë marrë miq të mi nga Uashingtoni dhe më kanë thënë se do prangoset Basha. Kur mora vesh se dosja ka ardhur dhe nuk është dorëzuar në prokurori, sipas një raporti të huaj. Unë e konsideroj Bashën të marrë peng. Nuk kanë qenë pare ruse”, tha Berisha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: