TIRANE-Kreu i qeverisë, Edi Rama u ka kthyer përgjigje indirekte deklaratave të bëra disa ditë më parë nga Ben Blushi.
Në Berat, për turin ‘Ta pastrojme me tej Shqiperine’, Rama ka lënë dhe një përgjigje për akuzat që disa ditë më parë deputeti socialist Ben Blushi ngriti lidhur me mënyrën sesi kanë qeverisur të majtët dhe rritjen e nivelit të borxhit.
Megjithëse nuk ka folur me emër të përveçëm, Rama i ka cilësuar kukuvajka ata që mbrojnë idenë se në dy vite qeveria nuk ka bërë asgjë dhe se ka rritur borxhin.
“Thonë ‘keni rritur borxhin’. Gjithfarëlloj kukuvajkash e teologësh të ideologjive ekonomike, të marra fund e të paprovuara asnjëherë në fakt, na thonë keni rritur borxhin. Si e kemi rritur borxhin? Ne e kemi legalizuar borxhin. Borxhi ishte aty dhe e mbanin fshehur. 720 milionë dollarë borxh, njerëzve nuk u tregonin”, – u shpreh Rama.
Më tej ai ka theksuar se, nëse qeveria e tij nuk do ishte përballur me këtë borxh të brendshëm, atëherë paratë e përdorura për të shlyer atë do t’i kishte përdorur për të bërë shumë investime.
“Po mos ta kishin pasur këtë barrë dhe këto 720 milionë dollarë t’i kishim marrë borxh për të bërë investime, ku do ishim sot, çfarë do kishim më shumë? Shumë më shumë do kishim bërë! Por nga ana tjetër zgjodhëm të bëjmë gjënë e duhur”, tha kreu i qeverisë.
(d.b/BalkanWeb)
