TIRANE- Ditën e djeshme, mesfushori kosovar, Mërgim Brahimi ka lëshuar një lumë akuzash në drejtim të trajnerit të Kombëtares U21, Redi Jupi. Futbollisti deklaroi për “Telegrafin” se ka qenë pikërisht Jupi ai që e ka larguar futbollistin nga gjiri i Përfaqësueses kuqezi pasi nuk është sjellë aspak korrekt, madje edhe e ka kërcënuar.

Ndërkohë, sot, vjen edhe reagimi i FSHF­së lidhur me akuzat e Brahimit. Në deklaratën zyrtare FSHF thotë se nuk lejon kurrsesi të prishet dhe cënohet imazhi i trajnerit Jupi.

Reagimi zyrtar:

Federata Shqiptare e Futbollit, në lidhje me deklaratat e publikuara në disa rrjete sociale, të futbollistit Mërgim Brahimi, ka këtë reagim: Prej shumë kohësh Federata Shqiptare e Futbollit, kërkon, vëzhgon dhe seleksionon talentet shqiptare që luajnë futboll në Europë, me qëllim afrimin e tyre në skuadrat tona kombëtare.

Kjo metodë pune, ka vite që realizohet dhe në këto grupe pune marrin pjesë, specialistët më të mirë të saj dhe trajnerët e ekipeve kombëtare. Institucioni i futbollit shqiptar, i ka krijuar kushte maksimale kujtdo që ka pranuar të luajë për fanellën kuqezi, si në nivele moshash ashtu edhe në nivelin më të lartë që është ekipi kombëtar.

Këtë përkujdesje, institucioni i futbollit e ka treguar në dhjetëra raste.

Sigurisht, është zgjedhje personale e futbollistëve, nëse dëshirojnë të luajnë për Shqipërinë apo për ndonjë vend tjetër. Ky është vendimi i tyre i respektuar nga ne, sepse kjo ka lidhje me interesat e vetë personit.

Edhe në rastin e Mërgim Brahimit, FSHF si institucion, ka respektuar vendimin e futbollistit e i uron atij, suksese në karrierën futbollistike, si në klub ashtu edhe në kombëtaren që ka zgjedhur. Ky urim vlen për të gjithë ata lojtarë, që kanë bërë zgjedhje ndryshe. Ky është qëndrimi ynë parimor, njerëzor dhe profesional, në çdo rast.

Por kurrsesi, Federata Shqiptare e Futbollit, nuk do të lejojë që të cënohet dinjiteti dhe personaliteti i njerëzve që kontribuojnë në maksimum për futbollin shqiptar, i specialistëve të përkushtuar dhe i vetë institucionit të futbollit. Ne vlerësojmë punën dhe kontributin e Redi Jupit, si ish­lojtar i ekipit kombëtar, si drejtues i Sektorit të Ekipeve Kombëtare dhe si trajner i Ekipit U­21.

Përkushtimi dhe profesionalizmi i tij dhe i të gjithë specialistëve të tjerë të FSHF­-së, i trajnerëve dhe stafeve të ekipeve kombëtare, ka bërë që niveli i këtij sporti të rritet dhe ai të shndërrohet në simbol për të gjithë shqiptarët. Rezultatet e futbollit tonë dhe sukseset e tij vitet e fundit, janë qartësisht të suksesshme dhe ato bëjnë të lumtur çdo shqiptar, kudo ndodhet.

Pavarësisht faktit, se këto deklarata janë të vërteta, keqkuptime apo sajesa mediatike, ne dëshironim me këtë rast të informonim publikun, për trajtimin me shumë kujdes që i bëhet nga ana e institucionit tonë, të çdo talenti shqiptar.

(el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb