TIRANE- Deputeti i Partisë Demokratike Enkeljed Alibeaj, bashkë me Gazment Bardhin nxorën sot të tjera prova siç i quajnë ata për shkeljen e ligjeve nga ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, me qëllim mbrojtjen dhe sigurimin e lirisë në Shqipëri, për vëllain e tij Agron Xhafaj të dënuar në Itali me 7 vjet e 2 muaj burg.
Sipas PD, Fatmir Xhafaj ka penguar policinë dhe prokurorinë të zbatojë ligjin Antimafia, duke i dhënë imunitet dhe paprekshmëri vëllait të dënuar për trafik ndërkombëtar droge. Demokratët thanë sot se për të mbrojtur vëllain e tij, Xhafaj është bekuar edhe nga kryeprokurorja Arta Marku.
“Pse është degdisur Operacioni “Forca e Ligjit” në operacionin “Forca e Agronit”? Si i falsifikoi Xhafaj dokumentet zyrtare për të siguruar që i vëllai t’i shpëtojë drejtësisë? Përgjigjet e këtyre pyetjeve, të cilat Fatmir Xhafaj nuk i jep dot, provojnë sesi e përdorë ai pozicionin e Ministrit të Brendshëm dhe të Kryetarit të Komisionit të Ligjeve për të mbrojtur të vëllain e dënuar për trafik ndërkombëtar droge. Vetë Ministri italian i Drejtësisë vetëm 6 muaj më parë, kërkoi që vendimet e dënimit të dhëna në mungesë, duhet të ekzekutohen, dhe se Italia nuk jep garanci për rishikim të vendimit kur personit të dënuar i është garantuar e gjithë e drejta e mbrojtjes. Heshtjes së Fatmir Xhafajt, ka vendosur t’i bashkohet edhe Arta Marku. Faktet dhe provat që tregojnë se Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka kryer veprën penale të korrupsionit të zyrtarëve të lartë publikë dhe të falsifikimit të dokumenteve zyrtare, janë përpara syve të çdo shqiptari.E vetmja që ka vendosur të mos i shohë është Arta Marku. Dhe kjo për një arsye të thjeshtë: ajo është vendosur aty nga Edi Rama, në shkelje të Kushtetutës dhe pa veting, pikërisht për të garantuar mbrojtjen e korrupsionit të qeverisë Rama”,- tha Alibeaj.
Akuza e dytë e rëndë ishte ajo e bërë sot se Fatmir Xhafaj ka penguar policinë dhe prokurorinë të zbatojë ligjin Antimafia, duke i dhënë imunitet dhe paprekshmëri vëllait të dënuar për trafik ndërkombëtar droge.
Ligji Antimafia ka për qëllim konfiskimin e pasurisë së personave, të cilët kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik, si rezultat i veprimtarisë së dyshuar kriminale, me qëllim parandalimin dhe goditjen ndaj krimit të organizuar dhe trafikuesve të lëndëve narkotike,
Subjekt i ligjit Antimafia është çdo person për të cilin ka indicie se:
a) është pjesëmarrës apo ka kryer krime në kuadër të një organizate kriminale;
b) ka kryer krime që lidhen me trafikimin e lëndëve narkotike.
Partia Demokratike paraqiti dokumenta se për rastin e Agron Xhafaj, jo vetëm që ka indicie për kryerjen e këtyre krimeve, por ai është i provuar nga vendimet e drejtësisë italiane.
Agron Xhafaj është dënuar me 7 vjet e 2 muaj burgim:
1. Për pjesëmarrje në grup kriminal që kishte për synim trafikun ndërkombëtar Shqipërisë, Italisë, Polonisë dhe SHBA, ku Agron Xhafaj kishte rolin e furnizuesit të grupit kriminal me heroinë.
2. Për drejtimin e një rrjeti të shpërndarësve të lëndëve narkotike heroinë, kokainë, hashash në Bolonja.
3. Për bashkëpunim në transportimin nga Shqipëria në Itali të lëndëve narkotike të llojit heroinë, kokainë dhe kanabis.
4. Për bashkëpunim me persona të tjerë, për mbajtjen në mënyrë të paligjshme, dhënien dhe marrjen e lëndëve narkotike.
Partia Demokratike thotë se Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit dhe Prokuroria janë tre institucione që Ligji Antimafia i detyron të marrin masa parandaluese ndaj Agron Xhafajt dhe rrethit të tij familjar, nëpërmjet sekuestrimit të pasurive, veprimtarive ekonomike apo tregtare, dhe nëse provohet që janë krijuar në mënyrë të paligjshme dhe të pajustifikuar, kanë detyrimin për konfiskimin e tyre.
Por Partia Demokratike ka një përgjigjë të thjeshtë, kur argumenton përse fatmir Xhafaj nuk e e ka zbatuar Ligji Antimafian për vëllain e tij të dënuar. “Aktiviteti kriminal i trafikut të drogës, që ka kryer vëllai i Ministrit të Brendshëm, automatikisht e bën subjekt të ligjit, vetë Ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj.”-thotë Partia Demokratike.
Neni 3 i Ligjit Antimafia dhe Fatmir Xhafaj si subjekt i ligjit.
Neni 3 e thotë qartë se dispozitat e Ligjit Antimafia zbatohen edhe ndaj pasurive të personave, në pronësi ose të zotëruara në mënyrë të tërthortë nga personat e afërm (bashkëshorti, fëmijët, vëllezërit, motrat, bashkëjetuesi), për të cilët prezumohet regjistrimi i rremë, përveçse kur provohet e kundërta.
Partia Demokratike thotë se Shqipëria është i vetmi vend në botë ku Ministri i Brendshëm, përgjegjës për zbatimin e Ligjit Antimafia, është vetë subjekt i Ligjit Antimafia.
Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk ka bërë ansjë deklaratë zyrtare për këtë çështje.
(BalkanWeb)
