SHKODER- Ish administratori i Vllaznisë, Neritan Kalamishi e ka quajtur një sulm politik dhe qesharak akuzat që prokuroria e Shkodrës ka ndaj tij për shkelje dhe shpërdorim detyre. Kalamishi nuk pranon akuzat dhe i cilëson si të sajuara nga banda kriminale e qeverisë aktuale.

“Është politike. Fatos Gjyrezi ish-prefekt i PD, unë ish-komisioner i PD, Denis Fani ish-kandidat i PD për deputet. Me 28 milion lekë të reja të ardhura nuk mund të bësh shpërdorim edhe po të duash. Kontratat e shërbimit nuk mund të hidhen në tender kur nuk ke fond të miratuar por bëhen blerje të vogla aq sa ke lekë në arkë. Është shumë qesharake edhe ai audit i KLSH porositur nga Paulin Sterkaj e Tom Doshi! Po të bëhej tender pa patur fondin e miratuar është shkelje penale po ku marrin vesht nga ligji militantët e PS. Prandaj unë edhe kam prishur kontratat edhe me trajnerët Baldo Ranieri dhe të tjerët dhe duke vendosur trajner nga akademia pikërisht se Këshilli Bashkiak nuk miratonte fondet dhe kur nuk ke lekë mund të biesh nga kategoria.

Unë prandaj edhe kam folur në Këshillin Bashkiak por është fatkeqësi kur nuk të kuptojnë as të tutë. Në mungesë ato mund të marrin çdo vendim por kur të kthehem unë do të di ti dal Zot vedit pasi kam zbatuar ligjin në mënyrë rigoroze. Qeveria ja arriti ta hedh Vllazninë nga kategoria dhe është turp pasi kontratat i kanë rritur për futbollistët dhe trajnerët dhe prap e hodhën. Ky proces i duhet qeverisë për të shpallur falimentin e shoqërisë dhe privatizimin siç duket me vlerë të ulët dhe para zgjedhjeve. Gjithsesi, kontratat janë lidhur me përzgjedhje midis tre firmave ashtu siç e ka dhe ligji por asgjë si pengon ato bandita që e mbollën Shqipërinë me drogë dhe e mbushën vendin me banda kriminale që edhe të zhdukë të gjithë dokumentacionin që kanë patur. Sqaroj këtu se shkarkimin e kam marrë vesh nga mediat dhe të gjithë dokumentacionin e kanë marrë vetë si i ka dashur qejfi. Me siguri ato mundohen që të pengojnë kthimin tim një ditë por gabohen”- është shprehur ai.

Kalamishi sqaron më tutje duke thënë se edhe në kohën e tij kanë dashur ta hedhin Vllazninë ndërsa thotë se nuk e ka lejuar një gjë të tillë:

“Me 28 milionë lekë të reja përfshihen të gjithë rrogat e lojtarëve, trajnerëve, shërbimi me autobuz, hotelet, ushqimi e çdo shërbim tjetër. Ato janë munduar ta hedhin Vllazninë nga kategoria në dorën time por veç Zoti e di si e kam mbajtur pa rënë. Po ju sqaroj se nga muaji maj kur isha unë Lorenc Luka nuk kishte të drejtë firme dhe Voltana Ademi e merrte atë në shtator kur merkatoja mbyllej në gusht dhe po në gusht fillonte kampionati. Arka e klubit kishte zero lekë. Qesharake si mund të besh tender pa lekë”.

Ish administratori hedh poshtë pretendimet se ka bërë shkelje në kohën kur drejtonte Vllazninë:

“Ju garantoj se e njoh ligjin më mirë se ato që flasin tërë ditën vetëm një fjalë ‘ligji’. Përsa i përket federimit janë federuar 28 tek Vllaznia dhe të tjerët tek Vllaznia B. Ekzakt sipas ligjit. Sqaroj këtu se kam krijuar Vllazninë B sipas një vendimi të Këshillit Bashkiak të mëparshëm duke ruajtur numrin e lojtarëve 18 vjeç që i duheshin ekipit të parë dhe duke mos djegur lojtarët e akademisë dhe të marrin nga federata ligjshmërinë. Edhe po të dua unë të federoj më shumë lojtarë nuk federohen nga federata. Të gjitha kontratat janë lidhur pas tre ofertash ashtu siç thotë ligji. Por të nxjerrin edhe vlerat që kemi paguar, të gjitha nën vlerën e tregut. Për hotelet të nxjerrin edhe faturat dhe kur luan Vllaznia në Vlorë nuk mund t’i çojmë për të fjetur tek hotel Morri në Librazhd se është më lirë. T’ia kërkojnë bashkisë së re sa është vlera që kanë paguar nga ato për hotelet për një sezon dhe sa ka qenë e jona dhe po të garantoj se këto mund ta kenë dyfishin. Ne i kemi çuar ekipin të luaj brenda ditës në Pukë dhe në Ballsh pikërisht se nuk kishim lekë”.

Kalamishi nuk ka akuza vetëm për qeverinë por edhe vetë kryetaren e bashkisë Shkodër Voltana Ademi:
“Vetëm nga ndryshimi i kontratave nga ato të shërbimit në kontrata pune bashkia Shkodër ka humbur miliona lekë të taksapagueseve shkodran dhe i janë dorëzuar qeverisë së Edi Ramës. Ky është shpërdorim. Futbollistët nuk mund të kenë kontrata pune pasi ato dalin vetëm 12 orë punë (shërbim në javë dhe jo 40 orë) katër ditë nga dy orë stërvitje dhe katër ore ditën e ndeshjes”.

Duke dashur të tregojë pastërtinë e tij ish administratori ka edhe një mesazh:
“Po e mbyll me një shprehje popullore: Ju bëfshin ilaçe çdo njërit që ka vjedhur edhe një lek nga buxheti i Vllaznisë”.

Prokuroria akuzon për shkelje dhe shpërdorim detyre ish administratorët e Vllaznisë Fatos Gjyrezi dhe Neritan Kalamishi si dhe ish financierin Denis Fani duke pretenduar se kanë shkaktuar një dëm ekonomik në shtet prej 300 milion lekë të vjetër.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb