Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka reaguar fuqishëm pas akuzave të kryeministrit Edi Rama ndaj gjyqtarëve.
Sipas KLGJ-së, deklaratat e tilla cenojnë pavarësinë dhe dinjitetin e pushtetit gjyqësor, që është themeli i shtetit të së drejtës. KLGJ thekson se gjyqtarët duhet të ushtrojnë funksionin e tyre në mënyrë të pavarur, duke respektuar vetëm Kushtetutën dhe ligjet.
Reagimi vjen në një kohë kur sistemi gjyqësor synon të forcojë besimin e publikut dhe t’i afrohet më shumë standardeve të Bashkimit Evropian. Këshilli i bën thirrje të gjithë aktorëve publikë dhe privatë të respektojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe të përdorin rrugët ligjore për të kundërshtuar vendimet.
Deklaratë e KLGJ:
Këshilli i Lartë Gjyqësor, duke marrë shkas nga deklaratat e fundit të subjekteve publike apo private, rithekson edhe njëherë se deklarata të tilla cënojnë figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve si dhe minojnë pavarësinë e pushtetit gjyqësor.
Në çdo shoqëri demokratike, gjyqtarët janë garantues të barazisë së palëve përpara ligjit. Për rrjedhojë, ushtrimi i funksionit të tyre duhet të jetë i pavarur dhe i çliruar nga çdo formë ndikimi, duke ju nënshtruar vetëm Kushtetutës dhe ligjeve. Në një shtet të së drejtës, ndarja dhe balancimi i pushteteve përbën parim themelor dhe gjyqtari ushtron funksionet në mënyrë të pavarur, duke vlerësuar faktet dhe interpretuar ligjin, i lirë nga çdo ndikim i jashtëm.
Këshilli ju bën thirrje gjithë subjekteve publike dhe private të respektojnë pavarësinë e gjyqësorit si një nga themelet e shtetit të së drejtës. E vetmja rrugë për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është përmes mjeteve procedurale të parashikuara nga ligji, duke u ankuar në një gjykatë më të lartë. Po ashtu, çdo ankesë apo pretendim në lidhje me sjelljen apo integritetin e një gjyqtari duhet të drejtohet pranë institucioneve përkatëse.
KLGJ në përputhje me kompetencat kushtetuese, shpreh mbështetjen e plotë ndaj të gjithë gjyqtarëve dhe përpjekjeve të tyre të përditshme në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve dhe në shërbim të interesit publik. Po ashtu i inkurajon ata të ushtrojnë funksionin e tyre, në mënyrë të përgjegjshme dhe të pavarur nga çdo ndikim i jashtëm.
Në një shtet të së drejtës – i cili sot është më pranë se kurrë aspiratës për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian – vetëm përmes një sistemi gjyqësor të pavarur mund të sigurohet barazia para ligjit dhe një drejtësi efektive, e cila meriton besimin e publikut.
