Në studion e emisionit “Pikat mbi I”, u diskutua për akuzat e kryeministrit Edi Rama ndaj SPAK.

Analisti Artur Zheji, tha se akuzat e kryeministrit mbrojnë në mënyrë indirekte Sali Berishën, ndërsa shtoi se do të ishte mirë që politika të mos përzihej me punët e drejtësisë. Nga ana tjetër, prokurori Shkëlqim Hajdari tha se Prokurorët sistematikisht kanë qenë pre e sulmeve politike, por shtoi se ata nuk ndikohen nga këto akuza, por vijojnë me punën e ngarkuar.

Hajdari: SPAK-u po tregon gjithnjë e më shumë që është një strukturë që bën optimistë ato shqiptarë që besuan te SPAK-u. Sigurisht një pjesë e madhe e prokurorisë nuk i kanë dëgjuar akuzat e Ramës nga selia, që u bënë në kuadër të kryetarit të Partisë. Edhe në kohën kur kam qenë në Prokurori ka pasur akuza politike, e shumicat ne s’i kemi dëgjuar se kemi pasur shumë dosje. Karriera e prokurorëve të SPAK-ut është e mbrojtur. Ata nuk kanë mundësi të frikësohen, intimidohen. Ata të mirat materiale i sigurojnë nga paga e tyre e ligjshme. Punë kanë shumë, dosje kanë shumë. Unë jam shpresëplotë që SPAK-u do i tregojë publikut me prova dhe shpresoj që çdo muaj të kemi njerëz, zyrtarë, ish-zyrtarë që do të dalin para drejtësisë për punën e bërë nga SPAK. Çdo prokuror nuk ndihet mirë kur merr sulme nga politika. Por prokurorët janë mësuar. Prokurorët janë të qetë kur punojnë me prova. Nuk ndikon shumë lufta politike. Nuk shoh se do të ndikojë te puna e SPAK-ut.

Zheji: Unë mendoj që t’i qëndrojmë asaj që tha ambasadorja amerikane. Politika në të gjitha nivelet vetëm kur është i shantazhuar nga drejtësia e sulmon atë apo e vendos atë në bankën e të akuzuarve. Në momentet që janë si Prokurori Speciale e t’i vendosësh në bankën e të akuzuarve do të thotë që e ndan atë. Ajo akuzohet në mënyrë indiretkee se po bën politikë. Pavarësisht sa të mbrojtur janë gjithmonë kanë shumë pika kontakti me opinionin publik dhe zgjatimet të pushtetit. Duhet vendosur një linjë e qartë. Duhet ta ndajmë shapin nga sheqeri për të thënë që SPAK-u të mos preket, sulmohet. Kjo bëhet për të krijuar tym, mjegull dhe nuk sjell gjë të mirë. Akuzat e bëra duken si një sulm ndaj Berishës, por është mbrojtja më e mirë që i bëhet doktorit. Kur kryetari dhe kryeministri i një partie maxhoritare, duke sulmuar Berishën në këtë formë i jep dy karta të rëndësishme Berishës. I jep elektoratit berishist se u tmerrua Rama dhe ka shpallur armikun nr. 1 Berishën. Rama s’e përfill, por tha që është i vdekur. E faktorizon. E do si kundërshtar. E do sepse e ka shumë të thjeshtë. Kalkulimi është i thjeshtë. Ndodh që SPAK-u kompleksohet dhe ka të drejtë. Pra, përtej kësaj. Shumë mirë bën që e mbron doktorin. Ai do të fusë brenda politikës e më pas ta rrahë në të dy krahët. SPAK-u rrudhet, tkurret dhe i bie kurajo.

Hajdari: Gjithsecili në parim e mirëpret punën e SPAK-ut. Të gjithë shpresojnë që ata që goditen të mos jenë të parcelës së tyre. Në këndvështrimin e Ramës që ka treguar se kur ka goditur SPAK-u s’është bërë pengesë, ai sheh si politikan që nga ana tjetër nuk po goditet njeri. Bën akuza që kanë argument, por jo me atë gjuhë. Mund të motivohet SPAK-u dhe kërkohet ta ketë 360 gradë goditjen politike. Disa zyrtarë kanë kryer paligjshmëri, por i ka kapur efekti i parashkrimit. I rëndësishëm është që SPAK-u të hetojë pa dallim. Sigurisht që pakënaqësi do të ketë ndaj SPAK-ut. Mund të ketë informacione nga politikanët që ndaj Berishës nuk ka asnjë precedent. Ose mund të jetë e kundërta, mund të jenë gjetur prova dhe po bëhen hetime. Unë po e mbyll me një fjali. Nuk janë të mira deklaratat që bëjnë politikanët, si ato në pushtet ashtu edhe në opozitë. Sigurisht që nuk ndikojnë për mirë, por flas për atë pjesë që pretendoj që njoh, prokurorit. Kemi dalë faqebardhë gjithmonë kur kemi çuar njerëz përpara drejtësisë me prova. Kërkohet lufta e madhe kundër zyrtarëve të korruptuar, ku ndërkohë janë po ato zyrtarë për 30 vitesh, ku në vendet e tjera janë larguar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb