TIRANË- Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, aktualisht deputet ka bërë një rrëfim ndryshe në emisionin “Top Story” për Sokol Ballën, këtë herë jo në studio por në shtëpinë e tij.

I pyetur për akuzat ndaj tij të ngritura nga Prokuroria dhe si e pritën njerëzit e tij të afërt, Tahiri tha se familja e priti me stres të madh. Ai shtoi se të bësh politikë në Shqipëri ka kosto, megjithatë politika nuk i është neveritur akoma. Ai deklaron se nuk ka imunitet dhe se po hetohet nga Prokuroria si i tillë dhe se është i vetmi deputet që i kanë hyrë në shtëpi prokurorët.

Si u ndjeve kur pe oficeret e policisë gjyqësore në shtëpi?
Ndjesi e sikletshme por jo e paparashikuar për mua pavarësisht se detyra gjithmonë më ka bërë të shikoja anën e atyre që hynin në shtëpinë e njerëzve. Është procedurë goxha e vështirë. Kam kuptuar ata që janë ndierë disi të dhunuar nga policia dhe i kam dhënë më shumë të drejtë atyre që në kohën kur më ankoheshin i neglizhoja pak por në këtë rast është e detyrueshme për të gjithë ata që janë në një situatë siç jam unë

Si e ka përjetuar familja?
Me stres goxha të madh s’ta përshkruar dot por po mundohem unë t’u jap pak forcë se ndoshta askush nga ata s’ka menduar që të bësh politikë në Shqipëri ka edhe këto kosto.

Pse zgjodhe ti përfshish, nuk mendove ta lije jashtë familjen të përballeshe me akuzat e ndoshta edhe me prangat politike por ta lije familjen tënde jashtë?
Po hetohem, jam deputeti i vetëm të cilit policia i ka hyrë në shtëpi për kontroll edhe pse në Shqipëri ka pasur plot raste ku akuzat kanë qenë shumë më reale. Askush s’e ka parë edhe shtëpinë pjesë të punës së prokurorisë duke hyrë brenda, s’jam fshehur kurrë pas imunitetit dhe skam imunitet. As unë as çdo deputet i Kuvendit s’ka imunitet.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb