TIRANE-Pas vendimit te gjykates se Faktit ne Elbasan dhe Apelit ne Durres, prokuroria ka pushuar hetimet per ceshtjen e pasurisë ndaj gjyqtarit Gjin Gjoni.
Sipas prokurorisë, grupi i hetimit priste përgjigje nga Gjermania për disa verifikime që është kërkuar të bëheshin atje, por gjykatat kanë ndërperë afatin e hetimit. Duke qenë se përgjigjet nga Gjermania nuk kanë ardhur ende, prokuroria ka vendosur pushimin e dosjes, duke theksuar se mund ta rihapë atë në të ardhmen nëse gjenden prova të reja.
RASTI “GJIN GJONI” Duhet pasur parasysh se çështja mund të rihapet, nëse në përgjigje të letër¬porosive përfitohen të dhëna që mund të shërbejnë për të rihapur hetimi.
Arsyetimi ligjor: Veprat penale për të cilat po zhvillohet ky procedim penal janë ato të “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Refuzimit për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose të çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të parashikuara nga nenet 186 e 257/a të Kodit Penal Neni 186 i Kodit Penal parashikon: “Falsifikimi ose përdorimi i dokumenteve të falsifikuara dënohet me burgim deri në tre vjet. Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet. Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, dënohet me burgim nga një vit deri në shtatë vjet.” Neni 257/a i Kodit Penal parashikon: Refuzimi për deklarimin ose mosdeklarimi i pasurisë , interesave private të personave të zgjedhur ose nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim sipas ligjit, kur më parë janë marrë masa administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj. Fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.” Vepra penale e “Falsifikimit të dokumenteve”, për të tre paragrafët e dispozitës penale në të cilën gjen parashikim ligjor, kryhet objektivisht atëherë kur subjekti i saj, i përgjithshëm ose i posaçëm, realizon veprime që paraqesin të dhëna të rreme në një dokument të caktuar, si mund të jenë dhe ato të pretenduara nga kallëzuesi, ashtu dhe kur e përdor një dokument që paraqet të dhëna të rreme që nuk pasqyrojnë realitetin.
Nga ana subjektive, kjo vepër kryhet vetëm me dashje direkte. Referuar elementeve të figurës së veprës penale të parashikuar nga neni 257/a i Kodit Penal, vërehet se nëpërmjet kësaj vepre cënohen në objekt marrëdhëniet juridike që sigurojnë saktësinë e burimeve të pasurisë së personave të zgjedhur ose nëpunësve publikë. Subjekti i këtij krimi është gjithnjë i posaçëm si dhe duhet të ketë mbushur moshën e të jetë i përgjegjshëm para ligjit. Vepra kryhet objektivisht nëpërmjet veprimeve ose mosveprimeve, sipas formave të përmendura shprehimisht në dispozitën penale. Sipas paragrafit të parë është e nevojshme marrja e masave administrative dhe vetëm pas përfundimit të kësaj procedure, lind përgjegjësia penale e subjektit i cili refuzon ose nuk deklaron pasurinë që zotëron. Nga ana subjektive, kjo vepër kryhet me dashje. Nga veprimet e kryera në fazën e hetimeve paraprake nën dritën e parashikimeve ligjore, rezultoi plotësisht se: Personi nën hetim Gjin Gjoni është subjekt i deklarimit të pasurive dhe interesave private në bazë të dispozitave të ligjit Nr. 9049, datë 10/04/2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, të ndryshuar, kurse personi tjetër nën hetim Elona Çaushi është subjekt i këtij ligji për shkak të lidhjes atë¬bijë me shtetasin Shpëtim Çaushi dhe më pas edhe të lidhjes bashkëshortore me të hetuarin Gjin Gjoni. Për deklarimet e bëra përpara institucionit përgjegjës, I. L. D. K. P. K. I, kjo e fundit ka kryer verifikime e gjetur shkelje, fakt për të cilin ka paraqitur kallëzim penal në organin e Prokurorisë. Për kryerjen e veprimeve hetimore në ngarkim të personit nën hetim Gjin Gjoni, u ngarkua Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan, sipas përcaktimeve e rregullave të vendosura në Kodin e Procedurës Penale, neni 78, e për shkak se kallëzimet drejtoheshin kundër të njëjtëve persona e për fakte të lidhur me njëri¬tjetrin, procedimet e nisura më pas u bashkuan me procedimin penal Nr. 1098 të vitit 2014, sipas kritereve ligjore të përmendura në nenet 79 e 92 të Kodit të Procedurës penale.
Vlen të theksohet se çështja penale është nisur në datë 02/05/2014, kurse emrat e personave nën hetim janë regjistruar në regjistrin e njoftimit të veprave penale në datë 12/05/2014, datë në të cilën kanë nisur dhe afatet hetimore të përmendura në nenin 323 të Kodit të Procedurës penale. Organi i Prokurorisë ka disponuar për zgjatjen e afateve hetimore të procedimit penal Nr. 1098 të vitit 2014 me vendimet e datave 31/07/2014 dhe 10/11/2014, të cilët janë ankuar në rrugë gjyqësore, (neni 325 i Kodit të Procedurës Penale). Me vendimin e datës 11/02/2015, organi i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan ka disponuar për zgjatjen e afatit të hetimeve për procedimin penal Nr. 1098 të vitit 2014 për 3 muaj, me qëllim marrjen e akteve të kërkuara nga letërporositë e drejtuara shteteve të Francës dhe Gjermanisë. Neni 324 i Kodit të Procedurës Penale përcakton të drejtën e prokurorit që të zgjasë afatin e hetimeve të përmendur në nenin 323/1 të këtij kodi për një kohë deri në tre muaj. Zgjatje të mëtejshme, deri në tre muaj, mund të bëhen nga prokurori në rastet e hetimeve komplekse ose të pamundësisë objektive për t’i përfunduar ato brenda afatit të caktuar. Është organi i Prokurorisë ai që, në bazë të përcaktimeve të nenit 148/1 të Kushtetutës së Shqipërisë ushtron ndjekje penale, përcaktim i zbërthyer më tej në nenet 24, 277, 323 të Kodit të Procedurës Penale. Disponimi për mënyrën e përfundimit të hetimeve të një çështjeje lidhet thelbësisht me ushtrimin e ndjekjes penale, marrjen e provave nga burimet e përmendura në këtë ligj dhe vlerësimin e tyre nga prokurori për të bazuar këtë vendimarrje. Kodi i lejon prokurorit që të zgjasë afatet hetimore në rastet e hetimeve komplekse apo të pamundësisë objektive për t’i përfunduar ato brenda afatit të caktuar. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan, në respektim të plotë të dispozitave procedurale penale që rregullojnë veprimtarinë e prokurorit në fazën e hetimeve paraprake, ka kryer veprimet e nevojshme hetimore, në mënyrë të plotë, pa shkëputje, ka administruar e verifikuar akte të ndryshme dhe ka disponuar me vendime të arsyetuara për zgjatjen e afateve ku ka përmendur si veprimet e kryera, ashtu edhe ato të mbetura për t’u përfunduar duke i renditur në mënyrë të hollësishme.
Nga aktet e çështjes rezulton më së miri se këto veprime që nuk janë përfunduar brenda afatit kanë të bëjnë me faktorë të tjerë të tjerë që nuk kanë lidhje me veprimtarinë e këtij organi (letërporositë). Nga ana e Prokurorisë në mënyrë të vazhdueshme janë dërguar letër¬kujtesa nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë për kërkesat për ndihmë juridike, por nuk është marrë asnjë përgjigje prej autoriteteve kompetente të shteteve të Gjermanisë dhe të Francës. Vendimi i prokurorit për zgjatjen e afatit të hetimeve mund të bëhet objekt ankimi në gjykatë. Në fakt, nga ana e personave nën hetim është kundërshtuar vendimi datë 10/11/2014 i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe në përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të saj, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan me vendimin Nr. 1482, datë 13/02/2015, ndër të tjera ka vendosur: Pranimin e kërkesës së kërkuesve Gjin Gjoni dhe Elona Çaushi, me objekt “Kundërshtimin e vendimit të prokurorit datë 10/11/2014 për zgjatjen e afatit të hetimit të procedimit penal Nr. 1098 të vitit 2014, në ngarkim të personit nën hetim Gjin Gjoni e Elona Çaushi”, duke caktuar si afat përfundimtar të zgjatjes datën 12/02/2015. Gjykata ka bazuar vendimin e saj në këtë arsyetim: Organi i Prokurorisë ka kryer hetim të plotë e të gjithanshëm, duke grumbulluar provat që ka parë të arsyeshme dhe janë të gjitha mundësitë që të disponojë në respektim të kërkesave të nenit 323 të Kodit të Procedurës Penale për këtë procedim. Gjykata i referohet përmbajtjes së vendimit datë 10/11/2014 të organit të Prokurorisë së Rrethit Elbasan “Për zgjatjen e afatit të hetimeve” dhe ka konstatuar se veprimet për të cilat është marrë vendimi janë kryer, përjashto përgjigjet e kërkesave për ndihmë juridike nga shtetet e Francës dhe të Gjermanisë. Gjykata vëren se, ndonëse përgjigjet e letërporosive nuk kanë ardhur, rezulton se shtetasi Ëerner Mehlber është paraqitur personalisht para organit të akuzës në datë 29/07/2014 dhe me të janë kryer veprimet përkatëse hetimore. Kryerja e këtyre veprimeve përbën fakt që i konsideron të përmbushura kërkesat e letërporosive përkatëse. Sa i përket shoqërisë “Gebr. Heinneman Albanien Holding” Gmbh, gjykata vlerëson se edhe ky fakt është ezauruar nga ana e organit të Prokurorisë, pasi në dosje është depozituar kontrata origjinale që asnjë nga palët nuk e ka kontestuar, por ajo për të cilën lidhet dhe kallëzimi i I. L. D. K. P. K. i ka të bëjë me faktin se është derdhur shuma prej 300 000 euro në favor të Elona Çaushi apo jo, si kjo e fundit ka deklaruar pranë këtij Inspektoriati. Nga aktet e hetimit rezulton se Banka Societe Generale në Strasbourg, France, ka konfirmuar derdhjen e shumës prej 300 000 euro në total, fakt i konfirmuar nga Societe Generale Bank, Tiranë. Gjykata çmon se provat për të cilat kërkohet letërporosia janë realizuar gjatë hetimit dhe zgjatja e mëtejshme e këtij hetimi do të ishte e pajustifikuar dhe pa shkak ligjor.
Gjykata ka caktuar si afat përfundimtar të hetimeve datën 12/02/2015, datë që përkon me përfundimin e afatit të kësaj zgjatjeje Ndaj këtij vendimi, organi i Prokurorisë ka paraqitur ankimin datë përpara Gjykatës së Apelit Durrës, e cila me vendimin Nr. 10¬2015¬623/58, datë 17/03/2015 ka vendosur për lënien në fuqi të vendimit Nr. 1482, datë 13/02/2015 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan. Sipas nenit 325/3 të Kodit të Procedurës Penale: “Kur gjykata pranon ankesën, hetimet nuk mund të vazhdojnë ose vazhdojnë vetëm për një afat të caktuar nga ajo.” Në analizë të këtyre parashikimeve ligjore, Gjykata e Rrethit Elbasan ka caktuar datën 12/02/2015 si afat përfundimtar të zgjatjes së hetimeve të procedimit penal Nr. 1098/2014 në ngarkim të personave nën hetim Gjin Gjoni dhe Elona Çaushi, duke u shprehur në vendim se me këtë kufizim, organi i Prokurorisë nuk ka asnjë pengesë ligjore që të disponojë për procedimin në një nga format e parashikuara në nenin 323 të Kodit të Procedurës Penale. Në këtë mënyrë, çdo veprim i kryer pas datës 12/02/2015 për personat nën hetim në këtë procedim penal, do të ishte i pamundur për shkak se do të ishte jashtë afatit hetimor, rrjedhimisht i papërdorshëm referuar nenit 324/4 të Kodit të Procedurës Penale. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në vendimin Nr. 00¬2012¬1680 (332), datë 10/12/2012, ka vlerësuar se: “K.Pr.Penale në nenin 324/1 parashikon të drejtën e prokurorit që në rast se për arsye objektive nuk arrin të përmbyllë të gjitha veprimet hetimore, brenda afatit të vendosë zgjatje të afatit deri në tre muaj. Gjithashtu është parashikuar detyrimi që ky vendim duhet t’i njoftohet të pandehurit, meqenëse tërheq interesa. Kryerja e veprimeve të mëtejshme hetimore që kanë të bëjnë me provat pas mbarimit të afatit hetimor i bën ato të papërdorshme. Për vetë pasojat që sjell mbi të pandehurin dhe të dëmtuarin ligji parashikon ushtrimin e kontrollit gjyqësor nëpërmjet ankimit të posaçëm në gjykatë, i cili ka për qëllim një vlerësim të paanshëm të nevojës për të zhvilluar hetime të plota dhe pamundësisë objektive që ka pasur prokurori t’i kryejë brenda afatit ligjor dhe respektimit të së drejtave të të pandehurit duke pasur parasysh se procesi penal shkakton kufizim të së drejtave dhe lirive personale.
Gjykata përveç vlerësimit të rrethanave konkrete që lidhen me nevojat e hetimit që në ligj lidhen me i) hetimet komplekse ose ii) pamundësisë objektive për t’i përfunduar brenda afatit verifikon edhe aspektin formal që ka të bëjë me aspektin kohor të marrjes së vendimit për zgjatje, i cili duhet të merret brenda afatit hetimor që parashikohet për veprën penale .” Në këtë vendim, Gjykata e Lartë lidh vendimarrjen e prokurorit me veprimet hetimore të caktuara për t’u kryer dhe me plotësimin e tyre, ç’ka në procedimin penal Nr. 1098 të vitit 2014 është realizuar nga Prokuroria Elbasan. Organi i Prokurorisë nuk mund të kryejë pas këtij vendimi gjyqësor asnjë veprim hetimor në ngarkim të personave nën hetim Gjin Gjoni dhe Elona Çaushi, i cili ka caktuar afat të fundit të hetimeve datën 12/02/2015, sepse, sipas vendimit Nr. 5, datë 12/12/2008 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, do të vinte “në kundërshtim me urdhërimin kategorik të parashikuar në pikën 3 të dispozitës së nenit 325 të Kodit të Procedurës Penale (sipas së cilës, kur gjykata pranon ankesën e bërë kundër vendimit për zgjatjen e afatit të hetimeve dhe nuk cakton ndonjë afat tjetër, sikundër ka ndodhur në rastin konkret, hetimet nuk mund të vazhdojnë më tej)”. Veprimet e kryera do të binin në kushtet e pavlefshmërisë e nuk do të mund të përdoreshin duke mos sjellë asnjë pasojë juridike. Pavarësisht konstatimit të bërë nga ana e gjykatës për kryerjen në tërësi të veprimeve hetimore, organi i Prokurorisë çmon, në kushtet kur është dhe organi i vetëm që kryen hetime dhe i drejton ato (neni 148 i Kushtetutës), se veprimet hetimore nuk janë ezauruar plotësisht, përderisa mungojnë aktet e kërkuara nëpërmjet letërporosive si më lart përmendur dhe nevojës për kryerjen e veprimeve të tjera që do të mund të rezultonin të nevojshëm në vijim të tyre. Në mungesë të këtyre akteve, organi i Prokurorisë nuk mund të konkludojë për dërgimin e çështjes për gjykim, pushimin apo pezullimin e saj, vendimarrje që lidhet me procedimin penal në tërësi. Në këtë moment procedurial, organi i Prokurorisë merr në konsideratë edhe parashikimet e neneve 24/1, 277/1, 2, 290 e 327 të Kodit të Procedurës Penale që përcaktojnë prokurorin si subjekt procedurial që zhvillon hetimet paraprake si dhe momentin e disponimit të tij për mënyrën e përfundimit të hetimeve. Për personat nën hetim Gjin Gjoni dhe Elona Çaushi, nuk mund të vazhdojnë hetimet e nisura për shkak të lindjes së një rasti të veçantë, që lidhet me disponimin gjyqësor të sipërcituar. Neni 327/2 i Kodit të Procedurës Penale e detyron prokurorin, si organin që kryen hetime dhe i drejton ato që, pasi shqyrton aktet hetimore të krijuara nga Policia Gjyqësore, të vendosë sipas rastit për mënyrën e zgjidhjes së çështjes, që mund të jetë pushimi ose dërgimi i saj në gjykatë.
Lidhur me procedimin penal Nr. 1098 të vitit 2014 konstatoj se duhet vendosur pushimi i ndjekjes penale në ngarkim të personave nën hetim Gjin Gjoni dhe Elona Çaushi, pasi gjen zbatim neni 328 i Kodit të Procedurës Penale. Nga ana tjetër, procedimi penal në tërësi, pa autor, duhet të vazhdojë deri në administrimin e kërkesave për ndihmë juridike nga jashtë shtetit, meqë rezultatet e tyre lidhen dhe me persona të tjerë, të ndryshëm nga personat e hetuar. Sa u parashtrua më lart vazhdimin e mëtejshëm të hetimeve nuk e lejon: Vendimi gjyqësor i formës së prerë Nr. 1482, datë 13/02/2015 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, sipas të cilit afati i fundit hetimor ndaj personave nën hetim Gjin Gjoni dhe Elona Çaushi ka qenë data 12/02/2015; Ky vendim përbën një nga shkaqet e parashikuara me ligj, që nuk lejon vazhdimin e mëtejshëm të hetimeve ndaj personave nën hetim (neni 328/1, gërma f, i Kodit të Procedurës Penale). Ndaj personave nën hetim, në këtë moment procedural nuk janë caktuar masa sigurimi. Prova materiale të sekuestruara personave nën hetim, në kuadër të këtij procedimi penal, nuk ka. Për këto arsye si dhe duke parë edhe nenet 325/3 e 328/1, gërma f, të Kodit të Procedurës Penale, VENDOSA Të pushoj ndjekjen penale, për efekt të procedimit penal Nr. 1098 të vitit 2014, në ngarkim të personave nën hetim: Gjin Gjoni dhe Elona Çaushi, të dyshuar secili për kryerjen e veprave penale të “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Refuzimit për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose të çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të parashikuara nga nenet 186 e 257/a të Kodit Penal;
(a.n/panorama/BalkanWeb)
