Kombet e Bashkuara deklaruan se 20 anëtarë të stafit të tyre ishin kapur nga rebelët Huthi në kryeqytetin e Jemenit, Sanaa, një ditë pasi ata nisën një bastisje të re që synonte stafin e OKB-së. “Pesë anëtarë të stafit vendas dhe 15 anëtarë të stafit ndërkombëtar po mbahen në kompleksin e OKB-së” që u shënjestrua nga rebelët të shtunën, tha për AFP-në Jean Alam, një zëdhënës i koordinatorit të përhershëm të OKB-së në Jemen.

Sipas tij, 11 punonjës të tjerë vendas të OKB-së u liruan pas marrjes në pyetje, ndërsa ai vuri në dukje se organizata është në kontakt me Huthit dhe palët e tjera me qëllim që “të zgjidhë këtë situatë serioze sa më shpejt të jetë e mundur, t’i japë fund ndalimit të të gjithë stafit dhe të rivendosë kontrollin e plotë të objekteve të saj në Sanaa”. Dje, Alam kishte theksuar se forcat e sigurisë së Huthit hynë në objektet e OKB-së në Sanaa “pa leje”. Rebelët kishin pushtuar gjithashtu zyrat e OKB-së në Sanaa më 31 gusht dhe kishin arrestuar rreth dhjetë punonjës, sipas OKB-së. Siç u shpjegua nga një zyrtar i lartë Huthi, të arrestuarit dyshohen për spiunazh për SHBA-në dhe Izraelin.

Ky incident i fundit vjen ndërsa dhjetëra punonjës të OKB-së janë arrestuar në muajt e fundit në zonat e kontrolluara nga rebelët jemenas. Në një fjalim televiziv të enjten, udhëheqësi rebel Abdelmalek al-Houthi tha se ata kishin shkatërruar “një nga qelizat më të rrezikshme të spiunazhit” që ishte “e lidhur me organizata humanitare si Programi Botëror i Ushqimit dhe UNICEF”.
Dje, Stephane Dujarric, zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, i quajti akuzat “të rrezikshme dhe të papranueshme” pasi ato “rrezikojnë seriozisht sigurinë e stafit të OKB-së dhe punonjësve humanitarë, si dhe operacionet jetësore të shpëtimit”.
Në mesin e shtatorit, koordinatori humanitar i OKB-së për Jemenin u transferua nga Sanaa në Aden, selia e përkohshme e qeverisë së njohur ndërkombëtarisht të vendit. Dhjetë vjet luftë civile e kanë zhytur Jemenin, një nga vendet më të varfra në Gadishullin Arabik, në një nga krizat më të këqija humanitare në botë, sipas OKB-së.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: