Policia e Durrësit ka vënë në pranga dy autorët e vrasjes së 45-vjeçarit Denis Çumani në Shijak në janar të këtij viti. Për dy kushërinjtë Indrit dhe Dorian Ferra, 38 dhe 36-vjeç, është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në burg”. Dy kushërinjtë ishin shpallur në kërkim pasi më datë 27 janar janë konfliktuar me 45-vjeçarin dhe e kanë qëlluar me armë zjarri. Për shkak të dëmtimeve të marra, ai ndërroi jetë pas disa ditësh në spital.

Dy kushërinjtë i shkuan në shtëpi dhe pasi e kanë dhunuar fizikisht kanë qëlluar me armë drejt tij, duke i shkaktuar plagë të rënda. Shkak i konfliktit dyshohet të ketë qenë një vajzë. Çumani i kishte dërguar mesazhe asaj, ndërkohë që ajo ishte në një lidhje me Dorian Ferrën.

NJOFTIMI I POLICISE
Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në burg”, për 2 autorët e dyshuar të vrasjes së një 45-vjeçari, në muajin janar 2026, në Shijak.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës ekzekutuan masën e sigurisë “Arrest në burg”, caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, për shtetasit:

-I. F., 38 vjeç dhe D. F., 36 vjeç (kushërinj), të dy banues në Shijak.

Këta shtetas ishin shpallur në kërkim pasi nga hetimet dyshohet se më datë 27.01.2026, në qytetin e Shijakut, janë konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin D. Ç., 45 vjeç dhe e kanë qëlluar me armë zjarri. Për shkak të dëmtimeve, 45-vjeçari ka humbur jetën pas disa ditësh, në spital.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: