Aktori Timothy Busfield dorëzohet në polici pas urdhrit të arrestit për abuzim seksual me të mitur

Aktori fitues i çmimit Emmy, Timothy Busfield, u dorëzua te autoritetet të martën, katër ditë pasi ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti për akuza të rënda të abuzimit seksual me fëmijë. Busfield i mohon kategorikisht akuzat. Lajmin e konfirmoi Gilbert Gallegos, zëdhënës i policisë lokale në Albuquerque, New Mexico, duke sqaruar se aktori u vetëdorëzua pas raportimeve se autoritetet lokale po bashkëpunonin me agjencitë federale për arrestimin e tij.

Busfield përballet me tre akuza penale: dy për kontakt seksual me të mitur dhe një për abuzim seksual me një të mitur. Akuzat lidhen me dy vëllezër binjakë 11-vjeçarë, për të cilët pretendohet se janë abuzuar gjatë xhirimeve të një seriali televiziv që Busfield po drejtonte në Albuquerque.

Në një video të publikuar nga avokati i tij dhe shpërndarë nga TMZ, aktori 68-vjeçar deklaroi:
“Do t’i luftoj këto gënjeshtra – janë të tmerrshme. Nuk u kam bërë asgjë këtyre djemve të vegjël. Do t’i luftoj këto akuza me një ekip të shkëlqyer dhe jam i bindur se do të shpallem i pafajshëm.”

Historia e abuzimit

Sipas urdhrit të arrestit, Busfield akuzohet se ka prekur në mënyrë të papërshtatshme njërin nga fëmijët tre ose katër herë dhe tjetrin pesë ose gjashtë herë. Dyshohet se abuzimi ka nisur në vitin 2022. Hetimi fillestar daton në nëntor 2024, kur një mjek nga Spitali i Universitetit të New Mexico informoi autoritetet për shenja të mundshme abuzimi seksual. Megjithatë, çështja nuk u procedua në atë kohë, pasi sipas autoriteteve nuk plotësonte kriteret për një hetim zyrtar.

Rasti u rihap në tetor 2025, kur nëna e dy të miturve kontaktoi sërish autoritetet dhe Shërbimet për Mbrojtjen e Fëmijëve (CPS), duke deklaruar se fëmijët e saj ishin abuzuar seksualisht nga Busfield nga nëntori 2022 deri në pranverën e vitit 2024. Gjatë hetimit, regjisori dyshohet se ka deklaruar se prindërit e fëmijëve ishin të pakënaqur pasi ata ishin zëvendësuar nga një aktor më i ri, i përzgjedhur përmes audicionit. Pas kësaj, Busfield u njoftua nga Warner Bros. se ndaj tij ishte paraqitur një ankesë që po hetohej. Timothy Busfield është i njohur për rolin e tij në serialin “The West Wing”. Ai është i martuar me aktoren Melissa Gilbert, e njohur për rolin e saj në serialin “Little House on the Prairie”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: