Një rast i rëndë abuzimi seksual është zbuluar në Korenë e Jugut, ku një drejtoreshë e një qendre kujdesi, e identifikuar me mbiemrin Kim, është dënuar me 15 vite burg për përdhunimin e disa grave me aftësi të kufizuara që jetonin në institucion. Çështja u bë publike pas denoncimit të një prej viktimave, një grua me aftësi të kufizuara mendore e identifikuar si Seo, e cila bëri kallëzim në vitin 2025. Seo, tashmë në të 40-at, ishte transferuar në qendrën Saekdongwon në vitin 2016.
Sipas dëshmisë së saj, abuzimi nisi pak kohë pas transferimit. Kim dyshohet se shkonte në dhomën e saj gjatë natës ose në orët e para të mëngjesit dhe e përdhunonte. Gruaja ka deklaruar se për shkak të rrethanave dhe kufizimeve në komunikim, nuk kishte gjetur më parë një person të cilit mund t’i drejtohej. Rasti u zbulua pasi Seo pësoi një dëmtim në kokë dhe vendosi t’i tregonte nënës së saj për abuzimin. Më pas ajo foli edhe me policinë. Për shkak të aftësisë së kufizuar, ajo komunikon kryesisht përmes frazave të shkurtra dhe gjesteve dhe e ka të vështirë të formulojë fjali të gjata.
Përmes avokatit të saj, Seo i tha BBC-së se shpresonte që pas denoncimit të mos detyrohej të kthehej në institucion dhe të mund të jetonte në një ambient pa dhunë seksuale. Hetimi në Saekdongwon çoi edhe te dy gra të tjera që pretenduan se ishin abuzuar seksualisht nga Kim. Njëra prej tyre, Lee Mi-Na, deklaroi se ishte përdhunuar nga drejtoresha ndërsa ndodhej në banjë. Gjykata i vlerësoi dëshmitë e tre grave si të besueshme. Ndërkohë, të dhënat e hetimit sugjerojnë se numri i grave që mund të jenë abuzuar në institucion mund të shkojë deri në 10.
Rasti ka rikthyer në vëmendje problematikën e mbrojtjes së personave me aftësi të kufizuara në institucionet e kujdesit në Korenë e Jugut. Edhe pse vendi ka ligje që prej vitit 2011 për mbrojtjen e personave me aftësi të kufizuara nga sulmet seksuale, autoritetet kanë evidentuar raste të tjera të dyshuara.
Pas hetimeve në 1,507 institucione kujdesi në të gjithë vendin, u identifikuan 33 raste të dyshuara abuzimi, ndërsa tetë prej tyre vijojnë të jenë nën hetim. Një këshilltare për mbështetjen e të mbijetuarve e cilësoi dhunën ndaj grave me aftësi të kufizuara si një problem strukturor, të lidhur me faktorë si gjinia, aftësia e kufizuar, institucionalizimi, varfëria dhe izolimi social.
