Autoritetet kosovare e kanë arrestuar të mërkurën një burrë nën dyshimet se kishte sulmuar pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në vend, si dhe të Policisë së Kosovës, gjatë protestave të vitit 2023 në veri të vendit.

Në një njoftim të shkurtër në Facebook, Prokuroria Speciale e Kosovës nuk dha më shumë hollësi për të dyshuarin, duke e identifikuar atë vetëm me inicialet S.R. Ai u arrestua gjatë një aksioni mes prokurorëve dhe hetuesve policorë nga Drejtoria për Krime të Rënda dhe Krim të Organizuar të mërkurën, sipas njoftimit. Më shumë se 90 pjesëtarë të KFOR-it kishin pësuar lëndime – disa prej tyre lëndime të rënda – pas përleshjes me protestuesit serbë në maj të vitit 2023 në Zveçan.

Të lënduar nga kjo përplasje pati edhe në anën e protestuesve. Dhuna në Zveçan shpërtheu pasi serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më herët po atë vit, që u bojkotuan nga serbët. Autoritetet kosovare kanë arrestuar dhe akuzuar dhjetëra të dyshuar për dhunën në Zveçan vitin e fundit.

Deri tani, disa persona janë dënuar me burgim pas marrëveshjeve me prokurorinë për pranimin e fajësisë. Për dhunën në Zveçan, Kosova e ka fajësuar Serbinë, duke thënë se pas dhunës qëndruan “grupe kriminale të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Por, Beogradi e ka hedhur poshtë këtë akuzë, duke thënë se Qeveria e Kosovës po synonte që të shtynte serbët “drejt një konflikti të ri me NATO-n”. NATO-ja vazhdimisht ka kërkuar që autorët e dhunës të mbahen përgjegjës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: