Policia në kryeqytetin e Somalisë, tha se të paktën 20 veta u vranë nga persona të armatosur që sulmuan një restorant të popullarizuar në Mogadishu. Grupi militant Al-Shabab, mori përsipër përgjegjësinë për sulmin në hotelin Lido Beach View në Mogadishu.

Oficeri i policisë Mohamed Abdirahman, tha të premten se ky ishte një “sulm barbar e brutal mbi civilët e pafajshëm”. Sulmuesit hynë në restorant të enjten në mbrëmje duke hedhur mjete shpërthyese e duke shtënë mbi mysafirët.

Një zyrtar i lartë somalez i zbulimit, i tha shërbimit somalez të Zërit të Amerikës se forcat e sigurisë ndoqën militantët nga ndërtesa dhe arritën të kapin udhëheqësin e grupit të armatosur. Një gazetar që ndodhej në restorant gjatë rrethimit, i tha Zërit të Amerikës nëpërmjet telefonit se ai dhe 20 të tjerë kishin mbetur të ngujuar.

Al-Shabab mori përgjegjësine për sulmin nëpërmjet një radiostacioni që mbështetë militantët në kryeqytet. Zëdhënësi i grupit tha se “jemi brenda dhe po kontrollojmë hotelin. Operacioni ynë ishte i suksesshëm”.

Mohamud Hared, pronar i një restoranti indian aty pranë i tha shërbimit somalez të Zërit të Amerikës se kishte dëgjuar të shtënat me armë dhe dy shpërthime.

Abdulkadir Mohamed Somow, që i mbijetoi sulmit, tha se ishte nisur të dilte nga hoteli, por, “atëherë dëgjuam një shpërthim të fuqishëm që u pasua me të shtëna. Kur hodha shikimin prapa, pashë luftëtarët militantë që po shtinin mbi të gjithë pa dallim. Atëherë u mbylla në dhomë derisa nuk na evakuuan forcat e sigurisë”.

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: