Alarm i kuq në shtëpinë kuqezi. Rafael Leao nuk do të jetë në dispozicion të Milanit për ndeshjen e fundjavës kundër Bolonjës. Sulmuesi portugez vazhdon të ketë shqetësime në kofshën e këmbës së djathtë dhe stafi mjekësor ka vendosur të mos rrezikojë. Dëmtimi i marrë në debutimin e kampionatit ndaj Barit nuk është lënë pas, ndaj trajneri Alegri preferon kujdesin maksimal. Rreziku për një rikthim të menjëhershëm në fushë është i madh, prandaj strategjia është të ruhet lojtari për sfidat e ardhshme.

Në fakt, objektivi i vërtetë është rikthimi i Leaos për ndeshjen e 20 shtatorit kundër Udineses, që do të luhet në “San Siro” në orën 20:45. Ky duel shihet si pika ideale për rikthimin e numrit 10 kuqezi, në një moment kur kalendari kërkon forca të freskëta. Mungesa e Leaos është një goditje për Milanin, që e ka të pamundur të zëvendësojë plotësisht shpejtësinë dhe depërtimin e tij. Sulmuesi është pika e referencës në repartin ofensiv dhe çdo mungesë e tij ndikon në balancën e skuadrës.

Ndërkohë këtë të enjte ka zbarkuar në Milano, Adrien Rabiot. Mesfushori francez është një prej lojtarëve të preferuar  të teknikut Max Allegri, i cili e ka stërvitur atë që në kohën kur të dy bashkë ishin pjesë e Juventusit. Ai ishte një prej kërkesave kryesore drejtuar klubit, i cili arriti ta kënaq teknikun livornez vetëm në orët e fundit të merkatos. “Jam i lumtur, forca Milan”, ishin fjalët e para të Rabiot drejtuar tifozëve të shumtë që kishin dalë pë ta pritur atë në dalje të aeroportit të Milanos. Sipas mediave pranë klubit milanez, pavarësisht ditëve të pakta në dispozicion flitet se Adrien Rabiot do të aktivizohet si titullarë nga Allegri që në sfidën ndaj Bolognës, e cila do të luhet të dielën në mbrëmje në San Siro.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: