Autoritetet pakistaneze kanë urdhëruar forcimin e masave të sigurisë shëndetësore në të gjitha pikat e hyrjes në vend, pas konfirmimit të dy rasteve me virusin vdekjeprurës Nipah në Indi. Pakistani bëhet kështu vendi i fundit në Azi që rrit kontrollet, mes shqetësimeve për përhapjen e virusit. Sipas Shërbimeve Shëndetësore Kufitare të Pakistanit, të gjithë udhëtarët që hyjnë në vend do t’i nënshtrohen kontrolleve me kamera termike dhe vlerësimit klinik në aeroporte, porte detare dhe kufij tokësorë. Udhëtarët do të duhet gjithashtu të paraqesin një histori udhëtimi 21-ditore për të verifikuar nëse kanë qenë në zona të prekura ose me rrezik të lartë për virusin Nipah.
Masat vijnë pasi disa vende aziatike, përfshirë Tajlandën, Singaporin, Hong Kongun, Malajzinë, Indonezinë dhe Vietnamin, kanë rritur kontrollet shëndetësore në aeroporte. Në Vietnam, autoritetet kanë nisur kontrollin e pasagjerëve në aeroportin Noi Bai në Hanoi dhe kanë shtrënguar masat edhe në Ho Chi Minh City, veçanërisht për udhëtarët që vijnë nga India dhe shteti indian i Bengalit Perëndimor. Virusi Nipah transmetohet te njerëzit nga kafshët, kryesisht lakuriqët e frutave, ose përmes ushqimit të kontaminuar. Aktualisht nuk ekziston vaksinë kundër tij. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shkalla e vdekshmërisë varion nga 40% deri në 75%, në varësi të aftësisë së sistemeve shëndetësore për ta zbuluar dhe menaxhuar infeksionin.
Infeksioni mund të jetë asimptomatik, por shpesh shfaqet me temperaturë të lartë, të vjella dhe probleme të frymëmarrjes. Në raste të rënda, mund të shkaktojë konvulsione, encefalit dhe komë. Megjithatë, transmetimi nga njeriu te njeriu konsiderohet i vështirë dhe zakonisht kërkon kontakt të zgjatur. Autoritetet indiane njoftuan se kanë identifikuar 196 persona që kanë pasur kontakt me dy rastet e fundit, por asnjëri prej tyre nuk ka shfaqur simptoma dhe të gjithë kanë rezultuar negativë. Virusi Nipah u identifikua për herë të parë në vitin 1998 në Malajzi, ndërsa rastet e para në Indi u regjistruan në vitin 2001. OBSH-ja e ka klasifikuar Nipah si një patogjen prioritar. Që nga dhjetori i vitit 2025, janë regjistruar rreth 750 infeksione të konfirmuara në mbarë botën, me 415 viktima, sipas Koalicionit për Inovacione të Përgatitjes Epidemike, i cili aktualisht po financon testimin e një vaksine kundër virusit.
