Elbasani po vijon normalisht përgatitjet në kuadër të ndeshjes së kësaj fundjave ndaj Dinamos, një përballje që merr vlera të shumëfishta për verdheblutë.

Jo vetëm për rëndësinë e pikëve në renditje, por edhe për aspektin moral dhe psikologjik të skuadrës, e cila po kalon një moment jo të lehtë pas një serie rezultatesh zhgënjyese. Trajneri dhe stafi teknik po punojnë me intensitet për të korrigjuar gabimet e javëve të fundit, ndërsa fokusi kryesor mbetet rikthimi te fitorja, që do të shërbente si një pikë kthese për vazhdimësinë e sezonit.

MOMENTI I SKUADRËS – Zbritja në vendin e tretë ka ndikuar ndjeshëm në ambientin verdheblu, sidomos duke pasur parasysh faktin se për disa javë Elbasani ishte skuadra që diktonte ritmin e kampionatit. Tashmë, çdo ndeshje shihet si finale, pasi diferencat mes skuadrave në krye janë minimale dhe një hap i gabuar mund të kushtojë shtrenjtë. Në këtë këndvështrim, përballja me Dinamon nuk është thjesht një ndeshje kampionati, por një test real për ambiciet dhe forcën mentale të ekipit. Për më tepër që një humbje i zbret edhe një pozicion më poshtë. Në katër ndeshjet e fundit, Elbasani ka grumbulluar vetëm tri pikë, një shifër që nuk përkon me objektivat e shpallura në fillim të sezonit. Tre barazime dhe një humbje përbëjnë një bilanc që ka zbehur entuziazmin e krijuar më herët, ndërsa rivale si Egnatia apo Vllaznia kanë përfituar nga ky ngërç. Humbja ndaj Bylisit u konsiderua një alarm i fortë, ndërsa barazimet me Tiranën, Flamurtarin dhe Egnatian konfirmuan se skuadra po has vështirësi për të ruajtur ritmin dhe për të mbyllur ndeshjet në favorin e saj.

NEVOJA PËR REAGIM – Në Elbasan, fjala që qarkullon më shumë këto ditë është “reagim”. Një reagim që duhet të vijë si në fushë, ashtu edhe në rezultate. Tri pikët ndaj Dinamos do të shërbenin për të ndalur rrëshqitjen në renditje, për të rikthyer qetësinë në ambient dhe për të riafirmuar Elbasanin si një pretendent serioz për zonën e kreut. Një fitore do të kishte gjithashtu ndikim të drejtpërdrejtë në aspektin psikologjik, duke rritur besimin e lojtarëve dhe duke ulur presionin që është ndjerë dukshëm në javët e fundit. Përndryshe, çdo rezultat tjetër rrezikon ta thellojë krizën dhe ta vendosë skuadrën në një situatë edhe më të vështirë për vazhdimësinë e sezonit. Mbetet për t’u parë nëse kjo sfidë do të shënojë fillimin e kthesës së shumëpritur, apo nëse verdheblutë do të vijojnë të përballen me një periudhë të vështirë, që rrezikon të ndikojë drejtpërdrejt në objektivat madhorë të sezonit. Një gjë është e sigurt: kjo fundjavë mund të jetë vendimtare për fatin e Elbasanit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb