Autoritetet shëndetësore dhe policia kanë ngritur alarm pas zbulimit të një rasti të dyshuar të kontaminimit të një kavanozi ushqimi për foshnje të markës HiPP me helm për minjtë në rajonin e Burgenland.

Sipas raportimeve, një klient ka njoftuar autoritetet pasi ka vërejtur një produkt me përmbajtje të dyshimtë (karota dhe patate), ndërsa fatmirësisht foshnja nuk e kishte konsumuar ushqimin.

Policia Austriake ka konfirmuar se kavanozi është manipuluar dhe ka shprehur shqetësim se mund të ketë produkte të tjera të ngjashme në treg. Autoritetet kanë dhënë udhëzime për identifikimin e paketave të dyshuara, përfshirë dëmtime në kapak, mungesë vulash sigurie dhe shenja të pazakonta në etiketë.

Hetimet, të cilat po zhvillohen në bashkëpunim me autoritete nga Gjermania, kanë ngritur dyshime se raste të ngjashme janë raportuar edhe në Republika Çeke dhe Sllovakia.

Si masë paraprake, kompania HiPP ka tërhequr nga tregu një seri produktesh ushqimore për foshnje të shitura në rrjetin e supermarketeve Spar në Austri, duke i konsideruar potencialisht të rrezikshme për shëndetin.

Autoritetet kanë këshilluar konsumatorët që të kthejnë produktet e blera dhe të kontaktojnë mjekun në rast të simptomave shqetësuese, ndërsa hetimet për rastin janë ende në vazhdim për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për sabotim apo akt kriminal të qëllimshëm. Sipas të dhënave paraprake, tërheqja prek vetëm produktet e shpërndara në rrjetin Spar dhe nuk lidhet me pjesën tjetër të prodhimeve të kompanisë HiPP.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: