Shërbimet amerikane të sigurisë kanë ngritur nivelin e gatishmërisë pas informacioneve për një plan të dyshuar iranian për një sulm me dron kundër presidentit amerikan, Donald Trump, dhe zyrtarëve të lartë të administratës së tij.

Sipas gazetës izraelite “Israel Hayom”, Mossadi ka përcjellë informacione specifike te CIA lidhur me kërcënimin e mundshëm, pas një kërkese të shërbimeve amerikane për të verifikuar të dhënat. Megjithatë, deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga Shtëpia e Bardhë apo CIA për ekzistencën e një plani konkret sulmi.

Sipas të njëjtit raport, Trump ka kufizuar daljet publike, ndërsa disa zyrtarë të lartë amerikanë janë zhvendosur në ambiente me siguri të shtuar.

Informacioni i ri rikthen në vëmendje paralajmërimet e mëparshme izraelite për kërcënime të mundshme iraniane ndaj jetës së presidentit amerikan.

Sipas një raportimi të Reuters të gushtit 2026, Izraeli kishte përcjellë disa skenarë të mundshëm atentati ndaj Trumpit, përfshirë sulme me snajper dhe armë të tjera gjatë aktiviteteve publike. Megjithatë, CIA nuk kishte arritur t’i verifikonte në mënyrë të pavarur disa prej këtyre informacioneve.

Një nga episodet më të përfolura lidhej me vizitën e Trumpit në Turqi për samitin e NATO-s. Sipas burimeve të cituara nga Reuters, pas paralajmërimeve izraelite për një sulm të mundshëm ndaj avionit presidencial, Shërbimi Sekret ndërmori masa të posaçme sigurie, duke transferuar Trumpin në një tjetër avion ushtarak.

Paralelisht, shefi i Mossadit, Roman Goffman, ndodhet në SHBA për takime me zyrtarë të lartë amerikanë lidhur me zhvillimet në Iran dhe opsionet e mundshme ndaj Teheranit.

Në axhendën e raportuar përmenden takimet me drejtorin e CIA-s, John Ratcliffe, si dhe një takim i mundshëm me të dërguarin special të Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff.

Vizita zhvillohet në një moment tensionesh mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa Izraeli po kërkon që administrata Trump të shqyrtojë mundësinë e rifillimit të operacioneve ushtarake kundër Iranit.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse informacionet e reja për një sulm me dron janë konfirmuar nga shërbimet amerikane apo nëse bëhet fjalë për një paralajmërim që ende po verifikohet.

Deri më tani, nuk ka prova publike që vërtetojnë ekzistencën e një plani konkret iranian për atentat ndaj presidentit amerikan.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb