ZYRIH- Një alarm për bombë në konferencën e FIFA-s ka ngritur më këmbë autoritetet zvicerane. Alarmi është dhënë në kohën që në Zyrih po mbahet konferenca, ku do të zgjidhet edhe kreu i ri i FIFA-s, ndërsa lajmi është bërë i ditur nga policia zvicerane. Mediat kanë raportuar se policia ka marrë kërcënim për bombë dhe pas kësaj anëtarët e kongresit u larguan nga salla. “Mund t’ju them se kemi marrë kërcënime për një sulm me bombë ndaj kongresit të FIFAs, ndaj kemi bërë boshatisjen e godinës”, ka thënë një zëdhënës i policisë në Zyrih. Ende nuk dihet nëse kongresi do të vijojë punimet për të zgjedhur presidentin e ri.
2019 anëtarë të qeverisë botërore të futbollit do të votojnë ditën e sotme në Kongresin e Zyrihut për të zgjedhur qeverinë e re të futbollit botëror. Sepp Blatter, presidenti aktual, do të tentojë të fitojë një mandat tjetër edhe pas skandalit të korrupsionit që shpërtheu dy ditë më parë.
Blatter: Po kalojmë momente të vështira
11:05- Kreu aktual i FIFA-s, Sepp Blatter hapi kongresin për zgjedhjet në këtë institucion në Zyrih duke mbajtur një fjalim. Ai pranoi se skandali i korrupsionit është i rëndë, por shtoi edhe se ai nuk mund që t’i kontrollojë apo detyrojë të gjithë zyrtarët e FIFAs të sillen në mënyrë korrekte. “Po kalojmë momente vërtet të vështira. Skandali i korrupsionit e ka eklipsuar FIFA-n dhe kongresin e saj. Le të përpiqemi bashkë ta kalojmë këtë moment të errët. Ne nuk mund të lejojmë që reputacioni i FIFA-s të bjerë në këtë mënyrë. Janë 300 milionë njerëz që merren me futboll dhe është e pamundur t’i kontrollojmë të gjithë”, tha Blatter.
Dy protestuese propalestineze ndërpresin fjalën e Blatter
11:00- Ndërkohë që Sepp Blatter po mbante fjalimin për hapjen e kongresit dhe zgjedhjeve për kreun e FIFAs, dy protestuese propalestineze ndërhynë duke shpalosur flamuj të Palestinës dhe pankarta që shkruanin “Jashtë Izraeli”.
Por kjo ndërhyrje e pakëndshme nuk zgjati shumë, pasi trupat e sigurisë i ndaluan në kohë. Ndërkohë, një grup prej 150 protestuesve propalestinezë protestojnë jashtë godinës së FIFA-s në Zyrih.
Votimi në orën 17:00
Sepp Blatter, presidenti aktual, me gjithë skandalin e korrupsionit që shpërtheu dy ditë më parë, do të tentojë të fitojë një mandat tjetër. Megjithatë, ai sfidohet nga princi Ali bin Al-Hussein i Jordanisë. Ditën e djeshme, UEFA përmes Platinisë tha se do të mbështesë princin Ali në këto zgjedhje. Votimi vjen dy ditë pas arrestimit të 7 zyrtarëve të lartë të FIFA-s për skandalin e korrupsionit, ndërkohë që në total janë 14 zyrtarë të dyshuar. Blatterit iu kërkua të dorëhiqej ditën e djeshme, po ai nuk e pranoi këtë kërkesë dhe sot do të kandidojë sërish për kreun e FIFA-s.
Blatter dhe Princi Ali, do të kenë nga 15 minuta kohë për të shpalosur idetë e tyre përballë delegatëve ditën sotme. Ndërsa në votim do të marrin pjesë anëtarët e 209 federatave të futbollit në mbarë globin. Delegatët do t’u drejtohen kurive të votimin në orën 17:00. Votimi është sekret. Fituesi duhet të marrë 140 që në raundin e parë për t’u zgjedhur. Nëse nuk ndodh kështu, atëherë do të ketë një raund të dytë, ku fituesi do të shpallet me shumicë te thjeshtë votash. Në këtë mënyrë fituesi mund të shpallet në orën 18:00.
Sa vota ka çdo kontinent
Çdo vend anëtar në FIFA ka të drejtën e një vote, pavarësisht historisë së tyre të futbollit. Por ajo që do të jetë përcaktuese është ndarja kontinentale e votave. Kështu, Europa (UEFA) ka plot 53 vota, pjesa më e madhe e tyre do të shkojnë për princin Ali. Ndërsa Afrika (CAF) ka 54 vota. Në vendin e tretë renditet Azia (AFC) me 46 vota dhe pas saj Amerika Veriore e Qendrore (CONCACAF) me 35 vota. Oqeania, e cila njihet për futboll gjysmëprofesionist ka plot 11 vota, ndërsa Amerika Jugore ka vetëm 10 vota.
Projeksionet e “Daily Mail”: Blatter merr 135 vota
Kampi i princit Ali shpreson që të marrë shumicën e votave nga federatat europiane dhe 60 vota të tjera nga federatat e Afrikës, Oqeanisë, Azisë dhe Amerikës. Mirëpo, Afrika, që ka më shumë vota, njihet si blloku kryesor që mbron Blatterin, ndaj parashikohet që Blatter do të marrë 54 vota prej tyre. Gjithashtu edhe Azia, që ka 46 vota, me shumë mundësi do të votojë për Blatterin, ndërsa Amerika Qendrore dhe Veriore do të mbështesë princin Ali. Duke llogaritur edhe votat e Amerikës Jugore dhe të Oqeanisë, Blatteri do të marrë 135 vota, sipas parashikimeve, çka i jep mundësi të fitojë në raundin e dytë. Ndërsa princi Ali mund të marrë 74 vota.
(ma.ar/m.k/BalkanWeb)
