Një avion pasagjerësh i kompanisë Delta Air Lines, që udhëtonte nga Nju Jorku drejt Tel Avivit, u evakuua të martën pas një kërcënimi me bombë. Ngjarja shkaktoi alarm në aeroportin ndërkombëtar Ben-Gurion, ku avioni kishte zbritur pak para se të merrej mesazhi kërcënues.

Sipas raportimeve të mediave izraelite, mesazhi pretendonte se në bordin e avionit, i cili transportonte pasagjerë, ishte vendosur një pajisje shpërthyese. Pas marrjes së informacionit, autoritetet ndërmorën masa sigurie dhe avioni u drejtua drejt një zone të largët të pistës, larg terminalit kryesor.

Pasagjerët u evakuuan me nxitim dhe u shoqëruan drejt një terminali, ndërsa ekipet e sigurisë nisën kontrollet për të verifikuar nëse kërcënimi ishte real. Sipas raportimeve, kontrollet e kryera nuk zbuluan asgjë të dyshimtë në avion. Megjithatë, autoritetet reaguan duke zbatuar procedurat e sigurisë për shkak të natyrës së kërcënimit.

Incidenti vjen në një kohë kur siguria e fluturimeve drejt Izraelit mbetet në vëmendje, pasi më pak se dy javë më parë ishte raportuar edhe një përpjekje për rrëmbimin e një avioni pasagjerësh që udhëtonte drejt Tel Avivit. Deri tani, nuk janë bërë të ditura detaje të mëtejshme mbi autorin e kërcënimit apo motivet e tij.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: