Autoritetet greke dhe franceze, brenda pak orësh nga njëra-tjetra, arrestuan persona të dyshuar për përfshirje në raste spiunazhi në favor të Kinës, duke ngritur alarmin në nivel pan-evropian. Edhe pse rastet nuk lidhen drejtpërdrejt mes tyre, ato ndajnë elementë të përbashkët, me fokus kryesor teknologjitë e avancuara të komunikimit dhe aktivitetet e NATO-s.

Në Greqi, autoritetet arrestuan një kolonel 54-vjeçar të Forcave të Armatosura, i cili shërbente në një njësi trajnimi në Kavouri. Oficeri, inxhinier i sistemeve të telekomunikacionit dhe informacionit, kishte ndërtuar ndër vite një profil të lartë profesional, me njohuri të specializuara në radarë mbikëqyrjeje, komunikime pa tel dhe me tel, luftë elektronike, sisteme mbikëqyrjeje dhe radio-navigimi. Sipas burimeve zyrtare, ai kishte akses në informacione të ndjeshme që lidhen me lëvizje mediatike, individë dhe formacione ushtarake, me theks të veçantë në strukturat e NATO-s. Pikërisht kjo qasje e bëri objekt të një mbikëqyrjeje diskrete disamujore nga autoritetet greke, e cila përfundoi me arrestimin e tij.

Hetimet tregojnë se niveli i lartë i trajnimit dhe interesi i tij për median elektronike ishin faktorë kyç në rekrutimin e tij, me qëllim transferimin e informacionit kritik dhe teknologjisë së mbrojtjes drejt Kinës. Dyshohet se ai përdorte pajisje me softuer të posaçëm të furnizuar nga palë kineze, duke fotografuar dokumente sekrete dhe duke i dërguar ato elektronikisht. Aktiviteti i tij u zbulua përmes gjurmëve dixhitale, përfshirë përdorimin e kodeve QR, që lejuan identifikimin dhe ndalimin e rrjedhjes së informacionit.

Pas arrestimit, koloneli u dërgua në Gjykatën Ajrore, ku po merret në pyetje nga autoritetet ushtarake dhe Shërbimi i Sigurisë Helene për lidhjet e tij të mundshme, si dhe për ekzistencën e bashkëpunëtorëve. Shqetësimi është rritur edhe për shkak të dyshimeve se ai kishte rekrutuar të paktën një person tjetër, ndërsa kontakti i tij i përditshëm me oficerë më të rinj shton frikën për një rrjet të mundshëm brenda Forcave të Armatosura. Sipas burimeve ushtarake, arrestimi u krye pak para se oficeri të dërgonte në Kinë informacione të reja që lidhen me teknologjinë e lartë dhe mbrojtjen e Greqisë. Për shkak të rolit të tij në sektorë të ndjeshëm të inteligjencës së NATO-s, çështja konsiderohet veçanërisht serioze dhe shqetësuese edhe për SHBA-në.

Në Francë, arrestime të ngjashme në rajonin e Girondës forcuan dyshimet për një model të përbashkët rekrutimi, ku individë me arsimim dhe trajnim në teknologjitë e komunikimit dhe median elektronike përpiqeshin të siguronin të dhëna për rrjete satelitore, përfshirë Starlink, dhe aktivitetet e NATO-s. Në një njoftim zyrtar, Shtabi i Përgjithshëm i Mbrojtjes Kombëtare të Greqisë konfirmoi se arrestimi u krye më 5 shkurt 2026, brenda një zone ushtarake dhe në bashkëpunim me shërbime të tjera shtetërore, për vepra penale që lidhen me mbledhjen dhe transmetimin e informacionit sekret ushtarak te palë të treta, me rrezik serioz për interesat kombëtare. Hetimet vijojnë, ndërsa prioritet i autoriteteve mbetet zbulimi i çdo rrjeti të mundshëm të spiunazhit brenda strukturave ushtarake.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: