Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) pritet të nisë së shpejti largimin e materialit bërthamor të ruajtur në një objekt sekret në Siri, pas një marrëveshjeje të arritur me qeverinë e re siriane. Sipas zyrtarëve amerikanë dhe izraelitë të cituar nga Axios, marrëveshja është arritur pas muajsh negociatash të fshehta, me përfshirjen e administratës së Donald Trump dhe IAEA-së. Synimi është sigurimi i materialit dhe shmangia e një përshkallëzimi të mundshëm mes Sirisë dhe Izraelit.
Objekti, i njohur si “Site 99”, dyshohet se përmban materiale të mbetura nga programi i fshehtë bërthamor i regjimit të Bashar al-Assadit. Mes tyre raportohet se ndodhet edhe “yellowcake”, një koncentrat uraniumi që mund të përpunohet më tej. Programi bërthamor sirian u dëmtua rëndë në vitin 2007, kur Izraeli bombardoi reaktorin e fshehtë Al-Kibar. Megjithatë, materiale dhe mbetje të lidhura me programin dyshohet se mbetën të ruajtura në disa objekte.
Sipas zyrtarëve amerikanë, materiali në “Site 99” nuk mund të përdoret drejtpërdrejt për ndërtimin e një arme bërthamore, por mund të përdoret për një pajisje që shpërndan material radioaktiv, e njohur si “bombë e ndyrë”.
Izraeli kishte paralajmëruar se nuk do të lejonte që materiali të mbetej i pakontrolluar dhe kishte shqyrtuar edhe mundësinë e një goditjeje ndaj objektit. Administrata Trump ndërhyri diplomatikisht dhe kërkoi që çështja të zgjidhej përmes IAEA-së dhe qeverisë siriane.
Një marrëveshje mes IAEA-së dhe Damaskut është nënshkruar rreth tre javë më parë, ndërsa operacioni për largimin e materialit ende nuk ka përfunduar. Sipas një zyrtari amerikan, procesi pritet të nisë së shpejti dhe të përfundojë para fundit të vitit, duke shmangur kështu një krizë të mundshme bërthamore në rajon.
