KOREJA E VERIU – Provokimet e regjimit të Kim Jong-un shtohen çdo ditë e më shumë duke u bërë dhe më agresive. Së fundmi Koreja e Veriut lëshoi një raketë balistike e cila fluturoi mbi Japoni, duke vënë në alarm shtetin ishullor.

Raketa kaloi mbi veriun e Japonisë, në orën 6:29 me orën lokale dhe autoritetet u bënë thirrje banorëve të ishullit Hokaido, që të strehoheshin për t’u mbrojtur.

Qeveria japoneze bëri me dije se ushtria nuk u përpoq ta qëllonte raketën nga vendi komunist, e cila mendohet të jetë rrëzuar në det rreth 1180 km larg qytetit të Cape Erimo dhe u nda në tre pjesë.

Nuk është hera e parë që Koreja e Veriut hedh një raketë me trajektore mbi Japoni. Një rast i ngjashëm ndodhi më 1998-ën, por lëshimi i sotëm vjen në një kohë tensionesh më të mëdha në Azi dhe pas kërcënimeve të Penianit për të fluturuar raketa mbi Japoni dhe drejt ishullit amerikan të Guamit.
(er.cu/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb