Lëvizja Vetëvendosje ka propozur caktimin e Albin Kurtit si mandatar për formimin e Qeverisë së Kosovës.
Ky subjekt politik ka dorëzuar propozimin te presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
“E nderuar që, në cilësinë time si Kryesuese e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, t’i dorëzoj Presidentes së Republikës së Kosovës propozimin për caktimin e z. Albin Kurti si Mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kryesuesja e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, në publikimin e dokumentit zyrtar në facebook.
Sot pritet të mbahet edhe një seancë tjetër, ajo për formimin e Qeverisë. Ende nuk është bërë e ditur për kohën se kur do të nisë seanca.
Kuvendi i Kosovës cilësohet i konstituar pas zgjedhjes së Albulena Haxhiut kryetare e legjislaturës së dhjetë dhe votimit të pesë nënkryetarëve: Ardian Golën nga LVV, Vlora Çitakun nga PDK, Kujtim Shalën nga LDK, Sllavko Simic nga Lista Serbe dhe Emilja Rexhepi nga grupi multietnik.
