Gazetari Almer Toska, i ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit mes politikës dhe drejtësisë në vend, duke u ndalur te çështja që përfshin ish-zëvendëskryeministren dhe ish-ministren Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar arrestimin.
Sipas Toskës, një nga institucionet që ka qenë në varësi të Ballukut është kompania shtetërore Albpetrol, për të cilën ai pretendon se është përfshirë në afera të mëdha korrupsioni. Ai tha se drejtimi i kësaj ndërmarrjeje i është besuar një personi që e cilësoi si besnik të saj, Eltar Deda.
“Bëhet fjalë për një drejtori të rëndësishme, sidomos në këtë periudhë krizash kur çmimi i naftës është në rritje. Një institucion që ajo ka pasur në varësi është Albpetrol, një ndërmarrje që sipas dokumenteve dhe konstatimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit përflitet për abuzime të mëdha”, deklaroi Toska.
Sipas tij, bazuar në dokumente zyrtare të KLSH-së, dyshohet për një dëm ekonomik ndaj shtetit që mund të arrijë deri në 30 milionë euro nga viti 2020 deri më sot. Ai tha se abuzimet lidhen me procedura tenderimi, shkelje të ndryshme administrative dhe pagesa të konsideruara të panevojshme.
Toska përmendi si shembull një pagesë prej rreth 3 milionë eurosh për energjinë ndaj kompanisë Bankers, që sipas tij konsiderohet e panevojshme, si dhe tendera me vlerë deri në 4 milionë euro, ku sipas pretendimeve të tij pjesa më e madhe e fondeve është përfituar nga kompani të lidhura me drejtuesit e institucionit.
Ai shtoi se problematika lidhen edhe me mënyrën e menaxhimit të naftës bruto dhe marrëdhëniet me kompaninë Bankers Petroleum, duke theksuar se për këto çështje ka dyshime për abuzime të mëdha financiare gjatë viteve të fundit.
“Përflitet edhe për çështjen e naftës bruto, sesi ajo merret dhe jepet dhe përfitimet që mund të krijohen nga drejtuesit aktualë përmes kësaj skeme. Këto janë çështje që kërkojnë hetim”, u shpreh gazetari.
Në fund, Toska deklaroi se është duke shqyrtuar mundësinë që dosjen me këto të dhëna dhe dokumente ta paraqesë pranë SPAK për hetime të mëtejshme, duke theksuar se një pjesë e shkeljeve janë konstatuar edhe nga raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
